Ka vdekur në moshën 84-vjeçare, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney.

Cheney ka qenë zëvendës i George Bushit në periudhën 2001-2009. Ai vdiq si pasojë e komplikimeve nga pneumonia dhe sëmundjeve kardiovaskulare të hënën, ka njoftuar familja e tij.

“Dick Cheney ishte njeri i mirë që i mësoi fëmijët dhe nipat se si duhet të duhet shteti jonë dhe si të jetohet me guxim, nder e dashuri”, thuhet në njoftim.

Cheney konsiderohet arkitekt i luftës ndaj terrorizmit, pas sulmeve të 11 shtatorit.

George W Bush për vdekjen e Cheney: Humbje për kombin

1 o. më parë / 4 nën 2025 15:56
George Bush dhe Dick Cheney

George Bush dhe Dick Cheney

Ish-presidenti amerikan, George W Bush, ka kujtuar zëvendësin e tij, Dick Cheney i cili ka vdekur të hënën, duke e quajtur këtë një humbje për kombin.

Në deklaratën e tij, Bush ka thënë se “vdekja e Cheney është një humbje për kombin dhe një pikëllim për miqtë e tij. 

“Unë dhe Laura do ta kujtojmë Dick Cheney për njeriun e mirë dhe të ndershëm që ishte. Historia do ta kujtojë atë si ndër nëpunësit më të mirë publikë të gjeneratës së tij - një patriot që solli integritet, inteligjencë të lartë dhe seriozitet në çdo pozicion që mbajti”, thuhet në deklaratën e Bushit.

Ish-presidenti ka përshkruar momentin kur e kishte kuptuar se si Cheney do të ishte zëvendësi i tij më i mirë.

"Në diskutimet tona të gjata rreth cilësive që duhet të ketë një zëvendëspresident - përvojë të thellë, gjykim të pjekur, karakter, besnikëri, kuptova se Dick Cheney ishte ai që më duhej. Jam ende mirënjohës që ai ishte në krahun tim për tetë vjetët që pasuan. Dick ishte një prani e qetë dhe e qëndrueshme në Shtëpinë e Bardhë mes sfidave të mëdha kombëtare. Unë mbështetesha tek ai për këshillat e tij të ndershme dhe të drejtpërdrejta, dhe ai kurrë nuk dështoi të jepte më të mirën e tij. Ai iu përmbajtë bindjeve të tij dhe i dha përparësi lirisë dhe sigurisë së popullit amerikan”, thuhet më tej në deklaratë.

“Largimi i trupave amerikane nga Kosova” - Cilat ishin lidhjet e Cheneyt me Kosovën

1 o. më parë / 4 nën 2025 15:32
Dick Cheney, atëkohë kandidat i Partisë Republikane për zëvendëspresident, tek fliste më 2000 për praninë e trupave amerikane në Kosovë.

Dick Cheney, atëkohë kandidat i Partisë Republikane për zëvendëspresident, tek fliste më 2000 për praninë e trupave amerikane në Kosovë.

Photo: Associated Press

Dick Cheney, ish-zëvendëspresidenti amerikan në periudhën 2001-2008, ka vdekur të hënën në moshën 84-vjeçare. E gjatë mandatit të tij në SHBA, Kosova shpalli pavarësinë.

Cheney ka pasur raporte edhe më herët për çështjen e Kosovës. Gjatë vitit 2000 në fushatën elektorale krah George Bushit, ai pati thënë se është koha që SHBA-ja ta rimendojë rolin si paqeruajtëse dhe sugjeroi tërheqjen e trupave tokësore nga Kosova dhe Bosnja. Ai besonte se prania e vazhdueshme nuk ishte në interes kyç strategjik amerikan, pasi që kriza veçse kishte kaluar.

Pa komentuar vendimin e administratës Clinton për të dërguar trupa në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, Cheney pati thënë se duhet të shqyrtohet mundësia e tërheqjes së trupave tokësore, por duke mbajtur prani të vogël për të mbledhur informacione dhe për të ndihmuar forcën ndërkombëtare me logjistikë.

“Mund ta vazhdojmë. Por trupat në terren, në Evropë, në veçanti në Ballkan, tani që kriza supozohet se ka kaluar në Bosnje dhe Kosovë, më duket rol i përshtatshëm për miqtë dhe aleatët tanë evropianë”, pati thënë ai.

Deklaratat patën nxitur reagime në SHBA nga ekipi i Al Goret, por edhe më gjerë. Studiuesi i lartë në “Brookings Institution” dhe ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në administratën e parë të presidentit Bill Clinton, pati shkruar se si pjesëmarrja e SHBA-së në operacionet paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnje ishte e domosdoshme.

“Pjesëmarrja amerikane është thelbësore për të ruajtur lidershipin në NATO dhe për të siguruar një Evropë të paqtë, të pandarë dhe demokratike. Që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA ka investuar shumë për këtë qëllim. Evropa e qendrës dhe lindjes është ende një rajon ku paqja dhe stabiliteti nuk janë të garantuara. Prandaj, për aq kohë sa ekziston rreziku i dhunës së organizuar në Ballkan, kërkohet prani ushtarake amerikane për të përfunduar punën”, pati shkruar Daalder, në shtator të 2000-s.

Ndërkaq po në shtator, në një kolumne në KOHA Ditore, publicisti Veton Surroi pati shkruar se “frika e përhapur për largimin e trupave amerikane, ndoshta është shkundje e mirë për kosovarët”. Sipas Surroit, në shkrimin me titull “Fundi i Shekullit — Pse [nuk] shkon Amerika” më 23 shtator 2000, frika për largimin amerikan reflektonte dy preokupime të brendshme.

“Së pari, pranojmë se pa praninë amerikane (apo ndërkombëtare) vështirë të mund të bëjmë gjë vetë në ndërtimin e shoqërisë sonë. Së dyti, pranojmë se nuk kemi shumë besim tek faktori evropian. Ndoshta ëndrra jonë është të jemi pjesë e Bashkësisë Evropiane, por deri tani mbështetjen më të madhe e kemi gjetur tek Amerika. Dhe frikësohemi se me largimin e saj, do të përfshihemi në konfliktet e interesave evropiane”, shkruante ai.

Pasi pati bërë vite përvojë si zëvendës i Bushit, edhe Cheney ishte mbështetës i procesit që çoi te pavarësia e Kosovës më 2008. Gjatë kësaj kohe, Cheney kishte takuar liderë të shumtë rajonalë e botërorë, me zotimin se pavarësia e Kosovës nuk cenon stabilitetin rajonal.

Më 2006, ai madje kishte takuar kryeministrin serb të asaj kohe, Vojisllav Koshtunica, në një takim në të cilin diskutuan për rëndësinë e kompromisit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Cheney para se të bëhej zëvendëspresident ishte shef i kompanisë “Halliburton” e cila kishte kontratë pune në Kosovë. Dega e saj, KBR, u përball me akuza për mashtrim në lidhje me ndërtimin e kampit “Bondsteel” dhe u pajtua të paguante 8 milionë dollarë në vitin 2006 pas këtyre akuzave për fryrje të faturave për punët e viteve 1999-2000.

E akuza pati pasur ndaj “Halliburtonit” edhe me pretendimin se në vendpunishte, përfshirë Kosovën, i ka ndarë tualetet në ato për amerikanët dhe për “të tjerët”.

Vajza e Dick Cheneyt, Liz, ka shërbyer si përfaqësuese e SHBA-së për zonën zgjedhore të Wyomingut dhe si kryetare e Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo më 2019, pati marrë pjesë në ceremoninë e dislokimit të Gardës Kombëtare të Wyomingut drejt Kosovës dhe pati shprehur vlerësimin për shërbimin e tyre në misionin paqeruajtës.