Phil Dowdell, 18 vjeç, e shtyu përtokë vajzën që kishte ditëlindjen, Alexis, ndërsa të shtënat shpërthyen gjatë festimit në një studio vallëzimi në komunitetin Dadeville. “Gjëja e fundit që i thashë ishte të qëndronte i fortë”, tha Alexis për BBC. Phil nuk mundi të fliste, porse hapi sytë dhe ngriti vetullat ndërsa ajo po e mbante në krahë
Një adoleshent, i cili ishte në mesin e katër personave të vrarë në një të shtëna masive në një festë të ditëlindjes së 16-të në Alabama, vdiq duke shpëtuar jetën e motrës së tij, thotë familja.
Phil Dowdell, 18 vjeç, e shtyu përtokë vajzën që kishte ditëlindjen, Alexis Dowdell, ndërsa të shtënat shpërthyen gjatë festimit në një studio vallëzimi në komunitetin Dadeville. “Gjëja e fundit që i thashë ishte të qëndronte i fortë”, tha Alexis për BBC.
Tridhjetë e dy persona të tjerë u plagosën në sulmin e së shtunës mbrëma. Alexis tha se Phil kishte shkuar për ta marrë pasi kishte dëgjuar se dikush kishte një armë.
Ndërsa shpërthyen të shtënat, ai e hodhi përtokë përpara se të dy të ndaheshin gjatë hallakamës, shtoi ajo. Më vonë, kur e gjeti përsëri, Alexis tha se vëllai i saj që po vdiste nuk kishte mundur të fliste, megjithëse ai hapi sytë dhe ngriti vetullat ndërsa ajo e mbante në krahë.
Alexis dhe nëna e saj, LaTonya Allen, i thanë BBC-së se nuk e dinin se çfarë kishte çuar në të shtënat. Zonja Allen tha se djali i saj e bëri atë krenare "në çdo mënyrë".
"Një pjesë e zemrës sime është shkëputur", tha ajo. "Ai duhej të diplomohej muajin tjetër. Në vend që unë të shkoj në diplomim, do të shkoj në varreza për të parë djalin tim”.
“Papritur dëgjon të shtëna armësh”
Policia nuk ka ndonjë të dyshuar apo një motiv për të shtënat në Dadeville, një qytet i vogël, i lidhur ngushtë me rreth 3.000 banorë. Ka treguar pak për hetimin, por i ka kërkuar publikut që të dalë me informacione.
Pastori lokal i qytetit i tha BBC-së se personi i armatosur ishte ende i lirë. Zonja Allen tha se besonte se të shtënat ishin kryer nga më shumë se një person.
Shaunkivia Smith, 17, Marsiah Collins, 19 dhe Corbin Holston, 23, u vranë gjithashtu.
Të afërmit dhe miqtë e zonjës Smith thanë se ajo ishte gati të mbaronte shkollën e mesme.
Collins ishte një futbollist universiteti që shpresonte të bëhej avokat. Holston erdhi në festë për të kërkuar një anëtar të familjes pasi dëgjoi se po krijonte probleme, tha familja e tij. Allen tha se para se të fillonin të shtënat, kishte dëgjuar thashetheme se dikush në festë kishte një armë. Kështu ajo ndezi dritat dhe shkoi në kabinën e DJ dhe foli në mikrofon, duke kërkuar që kushdo që kishte armë zjarri të largohej nga festa.
Kur askush nuk foli, ajo fiki dritat, tha ajo. Menjëherë pas kësaj, kaosi në studio, tha Alexis.
“Papritur dëgjon të shtëna armësh dhe thjesht sheh të gjithë që vrapojnë drejt derës dhe njerëzit që bien dhe bërtasin”, tha ajo për BBC-në.
Alexis tha se kishte mundur të arratisej nga vendi i ngjarjes. Ajo u mbulua jashtë para se dikush të vinte për ta ndihmuar të ngrihej, dhe ata shkuan të fshiheshin pas një ndërtese tjetër në rast se sulmuesi ishte ende i lirë, tha ajo.
Kur u kthye në vendngjarje, zbuloi se vëllai i saj ishte qëlluar me armë zjarri. Ajo tha se në atë moment vëllai kishte humbur shumë gjak, dhe ajo qëndroi me të, ndërsa atij i humbte dhe i kthehej vetëdija.
“Ditëlindja ime më kurrë s’do të jetë e njëjtë”
Jimmy Frank Goodman Sr, kryetar i Dadeville, i tha BBC-së se skena në spital pas të shtënave ishte kaotike. Madje edhe më keq se çfarë kishte parë gjatë kohës që shërbente në Luftën e Vietnamit.
"Kishte njerëz që qanin, trupa që shkonin në dhomën e urgjencës dhe rroba të përgjakur në tokë", tha ai. Më i madhi nga tre vëllezërit e motrat, Phil Dowdell u kujtua nga anëtarët e komunitetit të tij si një atlet në ngritje dhe mik besnik. Ai duhej të shkonte në Universitetin Shtetëror të Jacksonville me një bursë sportive.
Alexis tha se i kishte pëlqyer duke parë vëllain duke luajtur futboll dhe duke ndarë të qeshur me të. Ai gjithmonë hapte derën për të tjerët dhe vinte në dhomën e saj për të kërkuar falje sa herë që të dy grindeshin, tha ajo. Ditëlindja e saj nuk do të jetë kurrë më e njëjtë.
Flamujt jashtë shkollës së mesme Dadeville janë ulur në gjysmështizë. Të dielën u mbajt një vigjilje për të katër viktimat. Qindra njerëz, përfshirë disa që u plagosën nga të shtënat, morën pjesë.
Kejsi Davis, zëvendësmbikëqyrës në bordin lokal të arsimit, tha se klerikët dhe këshilltarët do të jenë në dispozicion të komunitetit.
Sulmi në Dadeville e gjen SHBA-në në një moment historik të zymtë prej më shumë se 160 të shtënash masive deri më tani këtë vit, sipas Arkivit të Dhunës me Armë, i cili përcakton ngjarje të tilla si ato në të cilat vriten katër ose më shumë njerëz.