Mes bukurisë mahnitëse të Himalajeve fshihet një realitet i hidhur. Fshati Hokse në Nepal ka marrë emrin “Lugina e veshkave” sepse pothuajse çdo familje aty ka anëtar që ka shitur organet.
Tregtarët e kanë vizituar zonën prej vitesh, duke i bindur njerëzit t’i shesin veshkat, pavarësisht se është e paligjshme.
31-vjeçari Suman është një prej tyre. Pasi pati vështirësi financiare dhe emocionale, ai përfundoi duke shkuar jashtë vendit për të shitur veshkën për rreth 3 mijë euro.
“Kisha borxh shumë të madh dhe po mendoja të vetëvritesha. Nuk kisha zgjidhje. Bisedova me një shok dhe ai më çoi në Indi. U ndjeva shumë i lodhur dhe humba vetëdijen kur u zgjova. Kisha shumë dhimbje. Tani s’mund të punoj. Dhe jam përpjekur t’u them të gjithëve të mos i shesin veshkat”, ka thënë Suman.
Kanchha dhe shoku i tij i shitën gjithashtu veshkat përmes rrjetit të trafikut të organeve.
“Agjentët i bënë dokumentet e rreme në Katmandu, duke përfshirë karta identiteti indiane. Veshka ime iu dha një gruaje që pretendonte të ishte motra ime. Mendoj se mjeku në Indi e dinte që unë do ta shisja. Është e pamundur të numërosh se sa njerëz kanë shitur veshkat e tyre. Ky fshat. Fshati tjetër fqinj. Kaq shumë njerëz kanë shitur veshkat e tyre”, ka thënë Kancha.
Në të kaluarën ka pasur raste kur në një familje veshkat i kanë shitur tre-katër anëtarë, por kjo ka ndryshuar kohëve të fundit, për shkak të arsimimit, sipas banorëve lokalë. Teksa gjërat mund të përmirësohen në Hokse, varfëria në të gjithë Nepalin ka çuar në krizë tjetër të papritur, që po ashtu lidhet me veshkat.
Për jetë më të mirë nepalezët po punojnë jashtë shtetit. Kryesisht ata po shkojnë në shtetet e Gjirit në Lindje të Mesme, por temperaturat e larta dhe kushtet e rënda të punës po u shkaktojnë dështim të veshkave.
Jit kaloi tre vjet duke punuar në Arabinë Saudite. Tani 29-vjeçari kalon 12 orë në javë në dializë.
“Më është dashur të punoj në nxehtësi ekstreme deri në 50 gradë. Nuk kishim kohë të hanim drekë, të shkonim në tualet apo të pinim ujë. Kur u kontrollova, më thanë se veshka ime kishte dështuar”, ka thënë Jit.
Në Qendrën e Transplantimit të Organeve në Bhaktapur, të gjithë janë në kërkim të donatorëve, por duhet të kenë lidhje gjaku. Doktori Pukar Chandra ka thënë se në vazhdimësi po sheh më shumë të rinj me telashe me veshka.
“Rreth një e treta e atyre që po kryejnë transplantim janë punëtorët migrantë që kanë ardhur nga jashtë. Kjo ka shkaktuar barrë për burimet tona shëndetësore. Aty shkojnë burra të shëndetshëm që janë të aftë për të punuar jashtë vendit. Kur kthehen, vijnë me veshka të dështuara”, ka deklaruar doktor Pukar Chandra.
Disa vende të Gjirit, si Katari, kanë reduktuar numrin e orëve që njerëzit mund të punojnë në diell, megjithatë, disa studime kanë treguar se rreziku i nxehtësisë ekstreme në shtetet e Gjirit është përshkallëzuar vetëm vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Përgatiti: Blerta Haxhiu