Qeveria e Venezuelës ka liruar të dielën disa figura të njohura të opozitës, përfshirë një nga aleatët më të afërt të fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Maria Corina Machado, pas ndalimeve të gjata të motivuara politikisht, raportoi “Ap News”.
Mes të liruarve ishte Juan Pablo Guanipa, ish-guvernator dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Machado, i cili ka qëndruar mbi tetë muaj në paraburgim në Caracas. Guanipa paraqiti lirimin e tij në një video të postuar në rrjetin social X, duke thënë se ka shumë për të diskutuar rreth të ardhmes së Venezuelës.
Organizata venezuelase që mbron të drejtat e të burgosurve, Foro Penal, konfirmoi lirimin e së paku 30 personave gjatë së dielës. Përveç Guanipas, ndër të liruarit ishin Maria Oropeza, e cila transmetoi në kohë reale arrestimin e saj nga zyrtarë të inteligjencës ushtarake, si dhe avokati i Machados, Perkins Rocha.
Lëvizjet vijnë ndërsa qeveria e presidentes në detyrë Delcy Rodríguez është nën presion në rritje për të liruar qindra persona të cilët janë burgosur për aktivitetet e tyre politike. Këto lirime pasuan gjithashtu një vizitë të përfaqësuesve të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Venezuelë.
Rodríguez ka mbështetur një projektligj amnistie që po diskutohet në Asamblenë Kombëtare dhe i cili synon të çlirojë me mijëra të burgosur politikë, përgjigje kjo ndaj kërkesave të opozitës dhe organizatave për të drejtat e njeriut.
Machado përshëndeti lirimet, duke postuar në X: “Le të shkojmë për lirinë e Venezuelës!”, ndërsa mbështetësit e opozitës shprehen optimizëm të kujdesshëm për hapat e ndërmarra drejt një dialogu dhe pajtimi më të gjerë politik.