Botë

Vriten 35 palestinezë në Gazë, shumica afër qendrës së ndihmave

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 35 palestinezë kanë mbetur të vrarë të mërkurën në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite, shumica e tyre afër vendit të operuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-ja në Gazën qendrore, kanë thënë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

Zyrtarët mjekësorë në spitalet Shifa dhe Al-Quds kanë thënë se të paktën 25 persona u vranë ndërsa po i afroheshin vendit të ndihmës pranë ish-vendbanimit Netzarim, dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, raporton Reuters.

Dhjetë persona të tjerë janë vrarë në sulme të tjera ushtarake izraelite në Khan Younis në jug të enklavës, kanë shtuar ata.

Të martën, kur zyrtarët e shëndetësisë në Gazë njoftuan se 17 persona ishin vrarë pranë një vendi tjetër ndihme në Rafah në Gazën jugore, ushtria ka thënë se ka gjuajtur të shtëna paralajmëruese për të distancuar "të dyshuarit" që po i afroheshin trupave dhe përbënin një kërcënim.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se ka pasur "përparim të konsiderueshëm" në përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë, por se ishte "shumë herët" për të rritur shpresat se do të arrihej një marrëveshje.

Pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit për të rikthyer një armëpushim në Gazë, as Izraeli dhe as Hamasi nuk kanë treguar gatishmëri për t'u tërhequr nga kërkesat thelbësore.

Secila palë fajëson tjetrën për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.