Botë

Vritet një politikane dhe plagoset një senator në një sulm të dyshuar politik në Minnesota

Melissa Hortman & John Hoffman

Melissa Hortman & John Hoffman

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit të Minnesotas, Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj janë vrarë, ndërsa senatori shtetëror John Hoffman dhe bashkëshortja e tij janë plagosur rëndë, në një sulm të dyshuar politik, ka bërë të ditur të shtunën guvernatori i Minnesotas, Tim Walz.

Zyrtarët konfirmojnë se është në zhvillim një operacion për kapjen e autorit të dyshuar, i cili sipas burimeve ka qenë i maskuar si pjesëtar i policisë.

Hortman, demokrate dhe ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në Minnesota, dhe bashkëshorti i saj janë qëlluar për vdekje në atë që guvernatori Walz e përshkroi si “atentat me motive politike”.

“Ajo ishte shërbyese publike e jashtëzakonshme. E pazëvendësueshme”, ka thënë guvernatori Walz.

Ndërkohë, senatori i shtetit të Minnesotas, John Hoffman, gjithashtu demokrat, dhe bashkëshortja e tij u qëlluan disa herë në shtëpinë e tyre dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Jemi të kujdesshëm, por optimistë për mbijetesën e tyre”, deklaroi Walz.

Sipas burimeve të ABC News, të dy atentatet ndodhën në banesat e politikanëve rreth 13 kilometra larg njëra-tjetrës.

FBI-ja gjithashtu është aktivizuar për ta kapur autorin.