Botë

Witkoff e dhëndri i Trumpit u bashkohen bisedimeve për paqe në Gazë

Witkoff e dhëndri i Trumpit

Foto: Associated Press

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do t’u bashkohen bisedimeve për planin e paqes në Gazë në mesin e negociatorëve izraelitë dhe Hamasit në Egjipt të mërkurën.

Kjo vjen pasi dita e dytë e bisedimeve indirekte të martën përfundoi pa rezultate të prekshme, tha një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat.

Trump u shpreh optimist duke thënë se ekziston mundësia që të ketë paqe në Lindjen e Mesme.

Ndërkaq kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por tha se janë “ditë vendimtare”. Në një postim në X, Netanyahu shtoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të arritur qëllimet e tij të luftës që janë, kthimi i të gjithë të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe premtimi se Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i cili shihet si ndërmjetës kryesor, do t'u bashkohet gjithashtu bisedimeve.