Për ata që tashmë e kanë vizituar kryeqytetin e Republikës së Kroacisë, sidomos ata që në Zagreb kanë qëndruar në kohët e kaluara politike, gjërat mund të duken se nuk kanë ndryshuar shumë. Në pamjen e parë, fytyra e qytetit – ndërtesat, sheshet, rrugët, por edhe njerëzit – duken njëjtë si dikur, para tri-katër dekadash. Një numër restoranesh e dyqanesh të viteve ‘70 e ’80 të shekullit të kaluar janë ende aty, ndërsa nëpër shitoret dhe kafeteritë e shpërndara në të dyja anët e rrugës qendrore “Ilica” ende dominojnë firma të njohura që nga kohët jugosllave, prej prodhuesit të çokollatave “Krash” dhe atij të kafesë “Franck”, shkruan “Koha Ditore”.
Ata që e kanë vizituar Zagrebin në vitet ‘80 të shekullit të kaluar – ato vite në prag të luftërave jugosllave përmbyllja e të cilave nisi me pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe u përmbyll me pavarësimin e Kosovës – nuk kanë si t’i shmangen ndjenjës se kanë udhëtuar prapa në kohë; gjithçka në qendrën e qytetit duket pothuajse njëjtë si 30 vjet më parë. Shumë rrugë madje kanë edhe emrat e njëjtë, ndërsa edhe ato të cilave u janë ndërruar emrat nuk e kanë ndryshuar fort dukjen. Sheshi qendror i Ban Jelaçiqit dhe rrugicat rreth tij mbeten shëtitorja kryesore e qytetit, e vendosur nën zonën më joshëse turistike – kodrën maje së cilës qëndron pjesa më e vjetër e qytetit, Gradeci (që ndryshe quhet edhe Griç) dhe e cila bashkë me zonën rreth Katedrales së Zagrebit, Kaptolin, është zanafilla e qytetit që historia thotë se ekziston më shumë se një milenium, dhe që statusin e qytetit të pavarur mbretëror e ka marrë në vitin 1242 nga mbreti kroato-hungarez, Bela IV.
Ndër shekuj Zagrebi është rritur si qytet, ndërsa gjatë historisë shfaqet si një nga qendrat e mbretërive të ndryshme kroate, apo edhe si qendra e territorit të pushtuar nga të huajt, prej të cilëve periudha që ka lënë më së shumti ndikim që edhe sot vërehet është ajo e sundimit austro-hungarez.
Republika e sotme e Kroacisë është shpallur e pavarur më 25 qershor 1991 në kufijtë e Republikës së Kroacisë, që ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste. Vendi ka mbi katër milionë banorë, prej të cilëve gati një e katërta jetojnë në Zagreb. Prej 1 korrikut 2013, Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian.
“Vjena e vogël”
Zagrebi vazhdimisht është konsideruar të jetë edhe qendër kulturore dhe artistike e gjithë rajonit. Që nga koha kur këto territore ishin pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, kryeqyteti kroat mbiquhej “Vjena e vogël”.
Edhe sot, arkitektura dhe infrastruktura e qytetit dominohen nga ndërtimet austro-hungareze. Pallatet e shumta perandorake “dekorojnë” anët e rrugëve të qendrës së qytetit, nëpër të cilat kalojnë tramvajet modernë elektrikë, pasardhës të karrocave të mëdha me kuaj, që në Zagreb janë përdorur si transport publik prej fundit të shekullit 19-të.
Por, fryma artistike e qytetit nuk buron vetëm nga fasadat e ndërtesave që të japin përshtypjen se je në Vjenë apo Budapest. Zagrebi qysh në kohën e para Luftës së Dytë Botërore është shquar si qendër e avangardës kulturore ballkanike. Në letërsi, rryma moderne kroate prodhoi shkrimtarë të shumtë të mëdhenj, prej të cilëve më i shquari është Miroslav Krlezha, i njohur edhe si një prej intelektualëve më të dalluar të shekullit 20-të në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.
Në kohën e Jugosllavisë socialiste, Zagrebi mbeti qendra ndoshta më e rëndësishme e avangardës artsitike, e cila në formën më dramatike është shprehur në muzikën e popullarizuar dhe artet grafike. Prej Shkollës së njohur të filmit të vizatuar të viteve 1950-1960, e deri tek vala e pop-rock muzikës alternative dhe grupit të ilustratorëve dhe vizatuesve modernistë të viteve 1980-të, Zagrebi gjithnjë ishte vendi ku gjërat lëvizin një hap më shpejt përpara se në zonat e tjera të rajonit.
Ndjenjën e kthimit në kohë për së paku 30 vjet e shtojnë edhe reklamat për koncertet muzikore, në të cilat dominojnë rock-grupet e njohura që në kohën kur Kroacia ishte një nga gjashtë republikat jugosllave. Këtë nëntor, koncerte në Zagreb kanë grupe që pushtonin rock-skenat jugosllave në vitet 1981-1987, si Jura Stubliq dhe Grupi Film dhe Darko Rundek me grupin e tij “Haustor”. Ndërsa në kafeteritë dhe baret për të rinjtë ende muzika e preferuar që dëgjohet është e grupeve si “Prljavo Kazaliste” dhe “Parni Valjak”, që të dyja yje që nga vitet ’70. Në fakt, grupet si këto janë pjesë qenësore e identitetit kulturor modern të Zagrebit, i njohur prej dekadash si qytet i hapur për artistët modernë dhe eksperimentalë. Këto grupe, që sot konsiderohen si klasikë të rock-muzikës kroate, në vitet ’80 të shekullit të kaluar ishin pjesë e asaj që quhej “Novi Val” (Vala e Re) në muzikën e popullarizuar, e cila bashkë me “Novi Kvadrat” (Katrori i Ri), lëvizje alternative në artet grafike, para së gjithash në strip dhe ilustrime, e distancoi artin modern kroat prej atyre në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, ku artet e masës ende ishin të lidhura ngushtë më shumë me traditën dhe folklorin nacional, sesa trendët modernë globalë.
Në artin e filmit të animuar, i njohur është seriali “Profesor Baltazari”, që mbetet projekti më i suksesshëm i animuar në historinë e Kroacisë, por edhe në rajon. Sot, vizatimet dhe skicat për filmin vizatimor “Profesor Baltazari” mund të gjenden në Muzeun e qytetit derisa vetë filmat edhe më tej shfaqen kohë pas kohe në programet kroate. Megjithatë, Baltrazari ende “jeton”, tashmë si grafit, në murin e njërës prej rrugicave të ngushta që çojnë prej sheshit “Jelaçiq” drejt Kishës së Shën Markut, në Gradec. Aty, përballë Baltazarit qëndron personazhi i Disneyit, Mickey Mouse, por me një automatik në dorë, derisa profesori kroat mban duart lart. Një ilustrim i epokës së re, kur komerciala globale, megjithatë, mposht avantgardën e vendeve të vogla. Fatkeqësisht.
Problemet dhe sfidat...
Bashkë me pozitën e mirë gjeografike buzë lumit Sava, Zagrebi gjithmonë ka joshur njerëz prej të gjitha anëve, përfshirë shqiptarët.
Siç thotë taksisti Ivan, Zagrebi tashmë është plot me të huaj, përfshirë madje edhe serbë nga Serbia.
“Tanët shkojnë jashtë, në Evropë, ndërsa të tjerët vijnë këtu për të punuar. Në Zagreb ka shumë prej rajonit që vijnë për punë. Sidomos serbë nga Serbia”, thotë Ivani, duke treguar se shumica punojnë në restorane si kuzhinierë apo kamarierë.
Vetë Ivani ka ardhur në Zagreb nga Zara. Atje, tregon ai, ka më shumë punë sezonale, në periudhën e verës, kur përveç të huajve që vijnë për pushime, ka edhe shumë që vijnë për të punuar, posaçërisht në hotelieri. “Ka edhe shqiptarë që vijnë”, thotë ai, edhe pse pasi mendohet paksa, thotë se më parë kishte më shumë që vinin sesa tani.
Me gjithë faktin që Kroacia tashmë është anëtare e Bashkimit Evropian – prej një janarit, madje, merr kryesimin e BE-së – situata ekonomike nuk duket të jetë edhe aq e mirë.
Profesori zagrebas, Goran S., thotë se një problem i madh i vendit është popullata në mplakje.
“Janë më shumë se 1 milion e 200 mijë pensionistë në Kroaci. E të punësuar zyrtarisht, pra aso që paguajnë taksa dhe sigurim pensional, janë rreth 1 milion e gjysmë. Pra, numri i pensionistëve është pothuajse sa edhe i të punësuarve. Kjo ngarkesë e madhe në sistemin tonë ekonomik e social nuk mund të durohet gjatë”, thotë profesori, duke shtuar se problemi është edhe më i madh kur gjithë kësaj i shtohet edhe fakti që të rinjtë duan të largohen nga vendi.
Në anën tjetër, të qenit pjesë e BE-së e ka rritur mundësinë e depërtimit të prodhimeve kroate në tregun evropian, por njëkohësisht edhe e ka hapur tregun kroat për prodhimet e importuara.
As situata sociale dhe politike nuk duket të jetë e lehtë. Qeveria kroate vazhdon të punojë me një shumicë të brishtë, në kohën kur ballafaqohet edhe me presione sociale. Javën e shkuar, turistët që janë ngjitur në qytetin e vjetër, ku janë të vendosura edhe Qeveria dhe Parlamenti kroat, kanë pasur mundësi të shohin protestën e mijëra mësuesve që prej Qeverisë kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. Parullat e tyre nuk dallonin shumë nga ato nga grevat e mësuesve kosovarë: “Përmbushini premtimet zgjedhore”, “Duam paga të dinjitetshme”, “Mos e gënjeni popullin”.
Megjithatë, siç thotë profesori Goran S., njerëzit shpeshherë e injorojnë perspektivën historike.
“Gjërat nuk mund të ndryshojnë shpejt, ndërsa ne shpesh harrojmë se sa keq ishim para vetëm disa vitesh”, thotë ai. “Para 20 vjetësh do të jepnim gjithçka për të qenë këtu ku jemi sot. Dhe, shiko tani, ende nuk jemi të kënaqur”.