Futboll

Selektori i Sllovenisë nuk është i befasuar nga sukseset e Kosovës

Matjazh Kek

Selektorin e Sllovenisë, Matjazh Kek, nuk e befasojnë sukseset e Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Sllovenia e pret Kosovën më 15 nëntor në Lubjanë, në ndeshjen e xhiros së parafundit të kualifikimeve për Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë. 

Kek të martën ka shpallur listën për ndeshjen me Kosovën dhe atë me Suedinë, që është më 18 nëntor në Solna. Te Sllovenia nuk ka emra të rinj, ndërsa janë kthyer Jan Mlakar e Andrazh Shporar. Sulmuesi i Manchester Unitedit, Benjamin Sheshko, dhe portieri i Atletico Madridit, Jan Oblak, janë emrat kryesorë të Sllovenisë.

“Është grumbullimi vendimtar që do të tregojë nëse kemi kualitetin dhe kapacitetin për të merituar plejofin. Është e qartë që fillimisht jemi të interesuar për Kosovën. Është ekip nacional që mund të jetë befasi për disa, por për mua është plotësisht normale pasi jam i vetëdijshëm për kualitetin që ka. Dëshira jonë është që me rezultat pozitiv të jemi në gjendje të përcaktojmë fatin tonë në raundin final”, ka thënë Matjazh Kek në konferencë për shtyp, të martën.

Në grup udhëheq Zvicra me 10 pikë. Kosova i ka shtatë, Sllovenia tri e Suedia një. Vendi i parë në grup dërgon në Botëror, ndërsa i dyti në plejof.

Adam Gnezo Çerin i mungon Sllovenisë ndaj Kosovës për shkak të kartonëve. Kek është i brengosur që disa prej lojtarëve sllovenë nuk po luajnë në ekipet e tyre, ndërsa pret që ata të jenë maksimalisht të motivuar për ndeshje me përfaqësuese.

“Gjëja e vetme që më intereson është ajo që qëndron para nesh. Pra ndeshja me Kosovën. Se çka do të ndodhë më pas, do të mendojmë pas ndeshjes. Nuk do të komentoj për kombinime matematikore. Rëndësia e ndeshjes është aq e madhe sa që nuk duhet të jem i interesuar për asgjë tjetër”, ka shtuar Kek.

Në fakt kualifikimi i sllovenëve varet edhe nga Zvicra. Edhe nëse Kosova mposhtet në Lubjanë, me fitore ndaj Zvicrës në xhiron e fundit do të shkonte në plejof, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër mes Suedisë dhe Sllovenisë.

Muajin e kaluar në Prishtinë, Kosova e Sllovenia luajtën pa gola. Sllovenët kishin më shumë raste për gol në atë ndeshje.

Selektori slloven ka thënë se në Prishtinë mungoi vetëm goli për të përzgjedhurit e tij.

“Kosova është përfaqësuese që nuk ka pranuar gol në tri ndeshjet e fundit, kështu që për mua është e qartë se çka na pret. Duhet të paraqitemi në nivel edhe më të lartë se që jemi paraqitur në Prishtinë”, ka shtuar Matjazh Kek.