Një operacion ndërkombëtar policor i zgjeruar në shtatë shtete ka zbuluar rrjete të organizuara personash që drogojnë dhe përdhunojnë partnerët e tyre dhe përdorin grupe online mesazhesh për të ndihmuar dhe inkurajuar sulmet e tyre, thanë autoritetet.
Në shumicën e rasteve viktimat janë gra që u jepen qetësues para se të përdhunohen dhe sulmohen seksualisht, njoftoi Europoli dhe Agjencia Kombëtare britanike kundër Krimit (NCA). Grupet online ofrojnë një strehë për autorët, kryesisht meshkuj, për koordinimin e sulmeve, ndarjen e informacionit si dhe publikimin e videove e fotove nga abuzimi, sipas autoriteteve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAgjencitë gjermane dhe britanike, me ndihmën e forcave nga SHBA-ja, Brazili, Kanada, Franca, Hungaria, Holanda dhe Spanja, kanë nisur një operacion të përbashkët për ta ndalur “kërcënimin në rritje”, ka thënë në një deklaratë NCA.
Hetimet erdhën pas rastit të Gisele Pelicot në Francë, bashkëshorti i së cilës u kërkoi dhjetëra të panjohurve ta përdhunonin atë ndërsa ajo ishte pa ndjenja – një rast që tronditi botën, raportoi CNN.
Që kur nisi bashkëpunimi policor ndërkufitar në prill, i quajtur “Projekti Meduza”, hetuesit evropianë kanë thënë se kanë identifikuar më shumë se 150 të dyshuar dhe viktima, si dhe kanë hapur më shumë se 270 pista të reja hetimi.
57 persona janë arrestuar, thanë ata.
Por shkalla e vërtetë e krimeve dhe numri i viktimave nuk dihet saktë për shkak edhe të mosraportimit të rasteve, sipas NCA-së.
“Sulmet seksuale të kryera me ndihmën e drogave nuk janë më incidente të izoluara. Ato po organizohen gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve të koordinuara dhe po lehtësohen nga platformat digjitale, gjë që kërkon reagim operativ më të sofistikuar”, ka thënë zëvendësdrejtori i NCA-së, Nigel Leary.
“Ndër gjërat më të tmerrshme që kam parë”
Autorët e këtij krimi synojnë t’i “çnjerëzojnë” viktimat e tyre dhe në disa raste abuzimi zgjat për dekada, ka thënë Europoli, i cili është përgjegjës për koordinimin e operacionit.
“Ata përdorin shërbime komunikimi të koduara dhe grupe të mbyllura bisedash për të shkëmbyer përvoja, për ta paraqitur sjelljen abuzive si normale, për të lehtësuar tregtinë e paligjshme me barna dhe lëndë narkotike, si dhe për të koordinuar veprimet kriminale”, shtoi Europoli.
Në këto grupe online, autorët e krimit ndajnë informacione se cilën drogë ta përdorin, si ta japin atë, si t’i shmangen drejtësisë, dhe kërkojnë e shpërndajnë video e foto të abuzimit.
"Është ndër gjërat më të tmerrshme që kam parë në karrierën time", ka thënë Siobhan Blake, përgjegjëse për ndjekjen penale të rasteve të përdhunimit dhe veprave të rënda seksuale në Shërbimin e Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar.
“Viktimat po i nënshtrohen abuzimeve të tmerrshme seksuale në shtëpitë e tyre, duke përjetuar një shkelje të rëndë të besimit”, ka thënë ajo.
Në Evropë ka pasur disa arrestime dhe dënime në vitet e fundit të burrave që janë akuzuar apo janë shpallur fajtorë për drogimin dhe përdhunimin e partnereve derisa ato kanë qenë pa ndjenja.
Dominique Pelicot u dënua me 20 vjet burgim më 2024 për organizimin e drogimit dhe përdhunimit të ish-bashkëshortes së tij Gisele. 50 të tjerë po ashtu u dënuan.
Vitin e kaluar, gjermani Fernando P. u shpall fajtor pasi drogoi dhe përdhunoi bashkëshorten e tij për vite, derisa ajo ishte pa ndjenja, dhe shpërndau video të ngjarjes në internet. Ai u dënua me 8 vjet e 6 muaj burgim.
Po ashtu më 2025, Zhenhao Zou u dënua për përdhunimin e 10 grave në Britani dhe Kinë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Policia dhe prokurorët thanë se Zou kontaktoi studente në “WeChat” dhe aplikacione të tjera dhe i joshi në apartamentet e tij ku më pas i drogoi dhe i sulmoi.
Dhe në prill, autoritetet polake arrestuan një burrë në lidhje me një rast të dyshuar përdhunimi. Ai ishte në mesin e gati 1000 përdoruesve në një grup privat në Telegram ku shpërndaheshin këshilla mbi drogimin dhe përdhunimin e partnereve.
Të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë bërë thirrje që rregullatorët të ndërmarrin veprime më proaktive për të mbyllur platformat dhe faqet e internetit online që përmbajnë materiale të shfrytëzimit seksual.
Operacioni policor është i pari i këtij lloji, sipas Europolit, dhe ata që janë të përfshirë thonë se shpresojnë që me bashkimin e forcave, autoritetet nëpër shtete të nxjerrin në pah këtë lloj abuzimi “që lulëzon në fshehtësi online”, ka thënë Blake.