Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka udhëtuar të premten në Londër për të zhvilluar bisedime me dhjetëra udhëheqës evropianë, të cilët kanë premtuar ndihmë ushtarake për të mbrojtur vendin e tij nga çdo agresion i ardhshëm rus.
Takimi, i organizuar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, do të fokusohet gjithashtu në mënyrat për ta mbrojtur rrjetin energjetik të Ukrainës nga sulmet e përditshme me dronë dhe raketa ruse, përforcimin e mbrojtjes ajrore të vendit dhe furnizimin e Kievit me raketa me rreze më të gjatë veprimi, që mund të godasin objektiva brenda territorit rus, raporton AP.
Qëllimi i këtyre bisedimeve është të rritet presioni ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke i dhënë shtysë masave të reja ndëshkuese që përfshijnë një raund të ri sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, të cilat synojnë të prekin të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës dhe gazit.
Putini deri më tani ka refuzuar të hyjë në negociata për paqe me Zelenskyn, duke pretenduar se pushtimi i plotë i Ukrainës është i ligjshëm.
Ky qëndrim i Putinit ka zhgënjyer udhëheqësit perëndimorë.
“Herë pas here i kemi ofruar Putinit mundësinë të ndalë pushtimin e tij të panevojshëm, të ndalojë vrasjet dhe të tërheqë trupat, por ai i ka refuzuar vazhdimisht të gjitha propozimet dhe çdo mundësi paqeje”, tha Starmer në një deklaratë të bërë përpara takimit të së premtes.
Aleatët perëndimorë të Ukrainës tani përballen me pyetje të rëndësishme për rolin e tyre në të ardhmen, ndërsa konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore po i afrohet përvjetorit të katërt në shkurtin e ardhshëm.
Pasiguritë kryesore lidhen me mënyrën se si vendet perëndimore mund të ndihmojnë në financimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta, çfarë garancish sigurie mund t’i ofrojnë asaj pas përfundimit të luftës, si dhe me qartësimin e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për marrëveshjet e ardhshme të sigurisë.