Botë

Zelensky pritet nga Macroni në Paris, e Witkoff takohet të martën me Putinin në Moskë

Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur të hënën në Paris, ku është pritur në Pallatin Elysee nga presidenti, Emmanuel Macron.

Zelensky dhe Macroni pritet të diskutojnë çështjet rreth bisedimeve të paqes që po zhvillohen së fundmi, bazuar në planin 28-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump. 

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff të martën pasdite, ka njoftuar Kremlini të hënën.

Witkoff besohet se do të jetë i shoqëruar edhe nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner. 

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, nuk ka specifikuar nëse Kushner, i cili ka luajtur një rol aktiv në negociatat mbi marrëveshjen e paqes në Gazë, do të marrë pjesë gjithashtu në takim.

Dy të dërguarit e besuar të Trumpit janë takuar të dielën me një delegacion të lartë ukrainas në atë që zyrtarët amerikanë e përshkruan si një takim "produktiv", megjithëse nuk duket se është arritur ndonjë përparim i madh.

Vizita e Witkoffit në Moskë do të jetë takimi i tij i gjashtë ballë për ballë me udhëheqësin rus dhe ka të ngjarë të rrisë ankthin në Kiev dhe në të gjitha kryeqytetet evropiane lidhur me komentet e kaluara të zhvilluesit të pronave, të perceptuara si në favor të  Kremlinit.

Javën e kaluar, Bloomberg ka publikuar transkripte të një telefonate të rrjedhur midis Ëitkoffit dhe një ndihmësi të lartë të Kremlinit, Kirill Dimitrev, në të cilën Witkoff dukej se e këshillonte Kremlinin se si të fitonte më shumë mbështetjen e Trumpit.

Zelensky përcakton vijat e kuqe të Ukrainës

1 j. më parë / 1 dhj 2025 17:04
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të hënën se prioritetet e Ukrainës mbeten të përqendruara në garancitë e sigurisë dhe ruajtjen e sovranitetit dhe territorit.

Gjatë një konference për media në pallatin Elysee bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, Zelensky ka përsëritur se Rusia nuk duhet të marrë shpërblime për agresionin e saj ndaj Ukrainës.

Ai gjithashtu i ka minimizuar pretendimet e Kremlinit për përparimet ruse, duke thënë se ato janë të ekzagjeruara.

Zelensky ka deklaruar se shpreson të zhvillojë bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar hapat e mëtejshëm, pasi i dërguari amerikan, Steve Witkoff të kthehet nga bisedimet e tij me Vladimir Putinin në Moskë, këtë javë. 

Ai po ashtu ka thënë se asnjë vendim për Ukrainën nuk mund të merret pa Ukrainën.

Ndërkaq presidenti Macron ka deklaruar se rundi i fundit i sanksioneve, duke përfshirë sektorët e naftës dhe gazit, si dhe flotën në hije, ka ushtruar presionin më të madh mbi Rusinë "që nga fillimi i luftës" dhe mund të jetë "një ndryshim i madh i lojës".

"Unë me të vërtetë besoj se në javët që vijnë, presioni mbi ekonominë ruse dhe kapaciteti i Rusisë për të financuar përpjekjet e luftës do të ndryshojnë në mënyrë drastike", ka thënë ai.

Zelensky: Çështje të vështira kanë mbetur për t’u zgjidhur

1 j. më parë / 1 dhj 2025 13:21
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Çështje të vështira ende nuk janë zgjidhur pas bisedimeve SHBA-Ukrainë në Florida, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të hënën, ndërsa ai dhe zyrtarë të tjerë ukrainas udhëtuan në Evropë për t'u takuar me aleatët, ndërkohë që i dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff është drejtuar për në Moskë për të informuar Kremlinin.

"Ka disa çështje të vështira që ende duhen zgjidhur”, ka thënë Zelensky në X, duke përshkruar një agjendë të ngjeshur takimesh në të gjithë Evropën për të diskutuar rezultatin e bisedimeve të Floridës.

Diplomacia e intensifikuar për t'i dhënë fund luftës më vdekjeprurëse të Evropës në breza të tërë, ka kaluar Atlantikun të hënën pasi zyrtarët amerikanë dhe ukrainas zhvilluan bisedime në një vendpushim golfi të ndërtuar nga i dërguari i Trumpit dhe bashkë-manjati i pasurive të patundshme, Steve Witkoff, raporton Reuters.

Zelensky ka mbërritur të hënën në Paris për të marrë mbështetje nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe do të shkojë në Irlandë të martën. Ministri i mbrojtjes i Ukrainës ka shkuar në Bruksel për takime me NATO-n. Ndërkohë, Witkoff është nisur për në Moskë, ku do të takohet me Vladimir Putin të martën.

Kiev dhe aleatët e tij evropianë kanë shtyrë Uashingtonin të rishikojë një plan paqeje të propozuar nga SHBA-ja që fillimisht mbështeste kërkesat kryesore të Rusisë: që Ukraina të heqë dorë nga më shumë territor, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj, të heqë dorë nga bashkimi me NATO-n dhe të ndalohet të presë trupa perëndimore. 

Ukraina thotë se këto kushte do të përbënin kapitullim dhe do ta linin të hapur mundësinë ndaj pushtimit përfundimtar nga Rusia, e cila nisi pushtimet e saj në vitet 2014 dhe 2022.