Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nxitur reagime të shumta pas fjalimit tradicional të Krishtlindjes, ku la të kuptohet se dëshiron vdekjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
Duke iu referuar një besimi të lashtë ukrainas se “qiejt hapen” për dëshira në prag të Krishtlindjes, Zelensky ka thënë se “të gjithë ukrainasit kanë një ëndërr”.
“Secili prej nesh mund të mendojë: ‘U zhduktë’, por kur i drejtohemi Zotit, natyrisht kërkojmë diçka më të madhe”, u shpreh ai, në një deklaratë që u interpretua gjerësisht si referencë ndaj Putinit, shkruan Telegraph.
Zelensky theksoi se lutja e ukrainasve është për paqe.
“Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Luftojmë për të dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë. Që çdo familje ukrainase të jetojë në harmoni, që çdo fëmijë ukrainas të gëzohet, të buzëqeshë dhe të ruajë besimin e fëmijërisë në të mirën dhe në mrekullitë”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, presidenti ukrainas dënoi edhe sulmet e fundit ruse, duke i cilësuar si “pa Zot”, një ditë pasi Moska lëshoi pothuajse 700 raketa dhe dronë drejt Ukrainës, sulme që lanë tre të vdekur dhe 12 të plagosur.
“Kështu godasin ata që s’kanë asgjë të përbashkët me krishterimin apo me njerëzoren”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas ka thënë edhe më herët se Putini “do të vdesë së shpejti” dhe se vdekja e tij do të sillte fundin e luftës.
Ndërkohë, teksa Ukraina po shënon Krishtlindjen e katërt në luftë, Zelensky ka prezantuar një plan të ri paqeje me 20 pika, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Plani sugjeron gatishmërinë e Kievit për disa lëshime territoriale.
Sipas Zelenskyt, Ukraina është e gatshme të heqë dorë nga kontrolli i rajonit lindor të Donbasit për ta shndërruar atë në një “zonë të lirë ekonomike”, e cila do të shërbente si brez i demilitarizuar ndaj Rusisë. SHBA-ja e ka mbështetur këtë ide si kompromis mes palëve, ndonëse Moska ka kërkuar dorëzimin e plotë të Donbasit dhe rajoneve të tjera të aneksuara ilegalisht.
Marrëveshja me 20 pika parashikon gjithashtu kufizime më pak strikte për madhësinë e ushtrisë ukrainase dhe garanci të forta sigurie për Kievin në rast të një agresioni të ri rus.