Botë

Zëra nga tërmeti

Mina Metioui thotë se në Marrakesh zhurma e tërmetit ishte sikur e një aeroplani luftarak. Zhurma bëhej e madhe çdoherë e më shumë.

Ishte nata kur tërmeti lëkundi fort Marokun. Shumë njerëzi ishin në shtrat të gjumit. Por nga tërmeti i shkallës 6.8 shumë prej tyre u ngritën dhe me panik dolën nga shtëpitë. Dridhja tjetër me magnitudë 4.9 ndodhi 19 minuta më vonë.

Numri i të vdekurve është i lartë, por për disa ditë nuk do të dihet shifra e saktë. Teksa epiqendra ishte në Malet e Larta Atlas, ka shumë të vdekur në Marrakesh, 71 kilometra larg.

Abdelhak El Amrani, 33-vjeçar, i cili jeton në Marrakesh ka thënë se lëkundjet ishin të mëdha. “E kuptova që ishte tërmet. Shihja të gjitha ndërtesat duke u lëkundur”.

“Pastaj dolëm jashtë dhe kishte shumë njerëz. Të gjithë ishin në panik. Fëmijët po qanin dhe prindërit ishin tërësisht të shpërqendruar”, ka shtuar ai.

Michael Bizet, shtetas francez, i cili ka tri prona në qytetin e vjetër të Marrakeshit, thotë se krevati nisi të kërcente nga lëkundjet. “Dola në rrugë gjysmë i zhveshur dhe menjëherë shkova t’i shoh shtëpitë e mia të vjetra. Ishte kaos. Katastrofë e vërtetë. Çmenduri”, thotë ai.

Gazetari britanik, Martin Jay, i cili jeton në Marok, thotë se britmat e zgjuan nga gjumi.

“Gjëja e parë që dëgjova ishte britma e gruas. Të dy ishim në gjumë – jo në gjumin e thellë – mendoj ishim në kllapi – dhe ajo filloi të bërtiste – unë hapa sytë dhe nuk po kuptoja se çfarë ndodhte. Nuk ma kapte se isha në mesin e një tërmeti”, thotë ai për BBC Radio 4. “Çdo gjë po lëkundej, bash çdo gjë, krevati, gjësendet, katër muret”.

Ai ka thënë se marokenëve u është kërkuar që të mos kthehen në shtëpitë e tyre.

“Pra në mbrëmje pothuajse në të gjitha qytetet e Marokut, krejt njerëzit po qëndronin të ulur para shtëpive apo ndërtesave të rrënuara, sepse kishin frikë se tërmeti i dytë do të ndodhte pas dy orësh. Falë Zotit që nuk ndodhi”, thotë gazetari britanik.

Banori i Marrakeshit, Fayssal Badour, ishte duke drejtuar automjetin kur tërmeti goditi me kohën lokale 23:11.

“U ndala dhe e kuptova se çfarë katastrofe ishte. Njerëzit bërtisnin dhe qanin. Nuk mund ta përballoja”, thotë ai.

Mina Metioui thotë se në Marrakesh zhurma e tërmetit ishte sikur e një aeroplani luftarak. Zhurma bëhej e madhe çdoherë e më shumë.

“Në dhomën time lëkundej çdo gjë. Pikturat, kornizat nisën të binin përtokë. Çdo gjë binte. Pastaj e kuptova se ishte tërmet. Një sekondë dukej sikur minuta. Dëgjova njerëzit që bërtisnin, dilnin nga shtëpitë... ishte përvojë e tmerrshme”, thotë ajo.

Përpjekjet për kërkimshpëtim kanë vazhduar edhe të shtunën. Shumë ndërtesa janë të dëmtuara.

Montasir Itri, i cili jeton në fshatin malor të Asnit, afër epiqendrës, thotë se fqinjët janë nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit kanë punuar shumë për t’i nxjerrë nga aty.

Houda Outassaf ishte duke ecur në sheshin Jemaa el-Fna në Marrakesh kur e ndjeu se toka nisi të lëkundej.

“Ishte përvojë e hidhur. Jemi të sigurt, por jam i tmerruar. Më kanë vdekur 10 anëtarë të familjes... nuk mund ta besoj, sepse isha me ta para dy ditësh”, thotë ai.

Qyteti historik i Marrakeshit është i popullarizuar nga turistët. Mijëra prej tyre vizitojnë qytetin çdo vit.

Lorella Palmer, turiste britanike, rrëfen për momentin e tërmetit. “Dhoma nisi të lëkundej. Truri juaj nuk e regjistron menjëherë se çfarë po ndodh deri kur nisin të bien kornizat e pikturave dhe krevati nis të lëkundet”, thotë ajo.