Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Aftësitë magjike të Cherkit mund të jenë të rëndësishme për Francën në Botëror

Rayan Cherki

Nëse ndeshjet bëhen të vështira për Francën në Kupën e Botës dhe ndonjë mbrojtje bëhet e pathyeshme për sulmin francez të mbushur me yje, Rayan Cherki është lojtari i ëndrrave për t’u aktivizuar.

22-vjeçari kishte një edicion të parë të shkëlqyer te Manchester City. Ai bëri tifozët për vete me aftësitë e shkëlqyera teknike dhe pasimet e mahnitshme. Cherki i bëri 12 asistime në Premier League. Vetëm Bruno Fernandes kishte më shumë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një pasim pa shikuar për Marc Guehin, ishte prej pikave kulmore të edicionit të Cherkit. Pep Guardiola, tashmë ish-trajner i Cityt, foli me mosbesim për kreativitetin e reprezentuesit francez. Guardiola as e që kishte parë atë pasim si opsion.

Cherki asistoi edhe me “Rabonan” e famshme. Ai është më shumë pasues, por golat që i shënon nxjerrin në pah aftësinë e mahnitshme të kontrollimit të topit.

Ai gjithashtu mund të vrapojë drejt lojtarëve kundërshtarë me shpejtësi, duke mbajtur topin në këmbë, atribute që i ka Lionel Messi.

“Rayan ka diçka të veçantë”, tha Guardiola. “Ai do të bëhet lojtar i jashtëzakonshëm me qasjen dhe mentalitetin që ka”.

Cherki i jep selektorit të Francës, Didier Deschamps më shumë mundësi me shkathtësitë që ka. Ai mund të luajë si mesfushor sulmues, ose sulmues i krahut të djathtë. Mund të luajë edhe si organizator, menjëherë pas qendërsulmuesit.

Në mars luajti pas Marcus Thuramit dhe ishte i përfshirë në dy gola në fitoren 3:1 të Francës ndaj Kolumbisë. Në nëntorin e kaluar luajti pas Kylian Mbappe ndaj Ukrainës.

Kur u ftua për herë të parë nga Franca, një vit më parë, Cherki e quajti “fillim i një aventure të bukur”. Por ai fillim mund të jetë i rrugës drejt madhështisë. Cherki ka botën e futbollit në këmbët e tij.

Është e vështirë të thuhet se cila është këmba e tij më e fortë, ndonëse ashtu si Messi, magjia e tij vjen nga e majta.

Kur u pyet në mars për lojtarin më të mirë të Cityt, Cherki u përgjigj: “Unë”. Ai po ashtu e përshkroi vetën si një nga lojtarët më të paparashikueshëm në planet.

Është situatë e përkryer nëse Franca ka nevojë për të thyer një mbrojtje të fortë.

Cherki doli nga akademia e famshme e Lyonit. Debutoi në elitën franceze në moshën 16-vjeçare dhe shënoi pak javë pas debutimit.

Edicionin e fundit te Lyoni e mbylli me 11 asistime, që ishte shifra më e lartë në ligë. City e transferoi vjet për 36 milionë euro. Është çmim i ulët për një lojtar me cilësitë e Cherkit, por City përfitoi nga kriza financiare e Lyonit.

Ekuilibri i jashtëzakonshëm është aset që Cherki e ndan me Messin dhe të ndjerin Diego Maradona.

Cherki e zhvilloi teknikën në rrugët e Lyonit në Francë. Akademisë së Lyonit iu bashkua në moshën shtatëvjeçare.

Për shkak që Franca ka sulmues të mahnitshëm, Cherki nuk pritet të startojë në ndeshjet e Botërorit.

Michale Olise i Bayernit, Ousmane Dembele i PSG-së dhe Mbappe i Real Madridit pritet të jenë zgjedhja e parë për sulmin.

Por në vitet e ardhshme loja e Francës mund të ndërtohet rreth Cherkit.