Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Brazili favorit i Grupit C, Skocia e Haiti kthehen në skenën e madhe

Grupi C

Pesë herë kampioni i botës, Brazili, takohet me Marokun në Grupin C të Kupës së Botës 2026 në futboll. Në këtë grup janë edhe Skocia e Haiti, që kthehen në skenën e madhe pas mungesës së gjatë.

Të gjitha ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në SHBA. Brazili luan në New York, Philadelphia dhe Miami. Skocia luan me Haitin dhe Marokun në Boston, ndërsa Haiti e Maroku luajnë në Atlanta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja mes Brazilit dhe Marokut është në mesnatë, më 14 qershor. Haiti e Skocia takohen në tre të mëngjesit, sipas kohës në Kosovë, po më 14 qershor.

Brazili

Brazili është ekipi përfaqësues më i suksesshëm në histori të Kampionateve Botërore. Por titullin nuk e ka fituar që nga viti 2002.

Prej atëherë, brazilianët janë eliminuar vazhdimisht në çerekfinale, pos në vitin 2014. Si nikoqir i Botërorit 2014, Brazili ishte turpëruar në gjysmëfinale nga Gjermania, duke pësuar 7:1.

Kroacia e dërgoi Brazilin në shtëpi katër vjet më parë në Katar, duke e mposhtur në penallti.

Këtë herë Brazili do të udhëhiqet në fushë nga ylli i Real Madridit, Vinicius Junior dhe ai i Barcelonës, Raphinha. Sulmuesi tjetër i Madridit, Rodrygo, është jashtë për shkak të një lëndimi të gjurit.

Brazili nuk ka performuar në nivelin e pritur në kualifikime, duke humbur nga rivalja e madhe, Argjentina.

Brazili do të drejtohet nga veterani italian, Carlo Ancelotti, që është prej trajnerëve më të vlerësuar në botë. Por Ancelotti nuk ka shumë përvojë në futbollin ndërkombëtar.

Brazili, si zakonisht, është prej favoritëve të botërorit. Bota e futbollit pret që brazilianët të ofrojnë momente magjie në fushën e blertë.

Maroku

Maroku përfundoi i katërti në Botërorin e kaluar. Është rezultati më i mirë nga një përfaqësuese afrikane në histori të Kampionateve Botërore.

Marokenët fituan ndaj Spanjës në një të tetën e finales dhe ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos në çerekfinale. Por në gjysmëfinale dështuan përballë francezëve.

Ekipi maroken futet në Botëror pas një fundi kaotik të Kupës së Afrikës, të cilën ngjarje e organizoi në dhjetor dhe janar. Maroku e humbi finalen ndaj Senegalit, por rezultati u anulua në mars dhe Maroku u shpall kampion nga Konfederata Afrikane e Futbollit. Senegali humbi me rezultat zyrtar, pasi lojtarët e këtij ekipi lëshuan fushën e lojës pa autorizim të arbitrit.

Trajneri Walid Regragui dha dorëheqje pas finales. Mohamed Ouahbi është selektor i ri. Ai udhëhoqi Marokun drejt titullit në Botërorin U20.

Marokua do ta organizojë Botërorin 2030 së bashku me Spanjën dhe Portugalinë.

Haiti

Vendi nga Karaibet do të paraqitet për herë të dytë në Botëror. Ka debutuar në vitin 1974. Haiti u kualifikua si fitues i grupit në zonën CONCACAF.

Në vitin 1974, Haiti u eliminua pasi humbi ndeshjet me Italinë, Poloninë dhe Argjentinë. Edhe këtë herë Haiti pritet të vuajë në ndeshjet në grup.

I udhëhequr nga francezi Sebastian Migne, Haiti aktualisht është i 83-ti në ranglistën e FIFA-s. Vetëm Zelanda e Re ka pozitë më të keqe prej të gjitha 48 ekipeve përfaqësuese që marrin pjesë në Botëror.

Skocia

Skocia do të luajë në Botërorin e parë që nga viti 1998, falë fitores së “vonshme” ndaj Danimarkës në ndeshjen e fundit kualifikuese.

Skocinë do ta udhëheqë Scott McTominay, që shënoi një prej golave në fitoren dramatike, 4:2, ndaj Danimarkës, e që mundësoi kthimin në skenën e madhe.

Trajneri Steve Clarke është në krye që nga viti 2019 dhe do të bëhet i pari që e udhëheqë Skocinë në tri ngjarje të mëdha. Skocezët u eliminuan në fazën grupore në Euro 2020 dhe Euro 2024.

Skocia nuk e ka kaluar asnjëherë grupin në tetë paraqitjet e kaluara në Botërorë. Ishte përballur me Brazilin edhe në vitin 1998, kurse ishte mposhtur 2:1 nga atëbotë kampioni në fuqi.