Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Makthi i radhës i Gjermanisë

gjermania

Ishte një kohë kur Gjermania pritej të fitonte turne të futbollit. Përfshirë periudhën kur garoi si Gjermania Perendimore, kjo përfaqësuese e ka fituar Kupën e Botës katër herë, ndërsa i ka humbur edhe katër finale të tjera. Gjermanët po ashtu kanë fituar tri prej gjashtë finaleve të Kampionateve Evropiane.

Por ato ditë janë larg.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Faqja e parë e gazetës “Bild” të martën e përmblodhi me një titull që përkthehet “Makthi i radhës i futbollit gjerman”, paraqitjen e Gjermanisë në Botëror. Gjermania u ndal në ndeshjen e parë të fazës nokaut. Humbi 4:3 në penallti nga Paraguai. Rezultati pas 90 minutave ishte 1:1 dhe shifrat nuk ndryshuan në vazhdime.

Që nga suksesi i fundit, titulli i botës në vitin 2014, Gjermania dy herë dështoi të kaloi grupin dhe tani u ndal në pengesën e parë pas daljes nga grupi.

Kur filloi Botërori, Paraguai ishte i 41-ti në renditjen e FIFA-s, derisa Gjermania ishte e dhjeta. Por kjo nuk pengoi amerikano-jugorët t’i shkaktonin Gjermanisë humbjen e parë në penallti në Kupën e Botës.

Ndonëse e kishin topin në 75 për qind të kohës, gjermanët patën telashe me ekipin e organizuar mirë, por të limituar të Paraguait. Madje kjo përfaqësuese kaloi befasisht në epërsi. Kai Havertz i Arsenalit barazoi në fillim të pjesës së dytë, para se goli i Jonathan Tah të anulohej në mënyrë kundërthënëse për faul të një bashkëlojtari gjatë ndërtimit të aksionit.

Ndeshja shkoi në penallti, ku Gjermania në të kaluarën kishte fituar katër herë. Havertz gjuajti i pari dhe goditja e tij u ndal. Edhe Nick Woltemade nuk realizoi përballë Orlando Gill. Pavarësisht se Gjermania fitoi rastin kur dy lojtarë të Paraguajit dështuan, Tah më pas humbi gjuajtjen e tij para se mbrojtësi Jose Canale të vuloste fitoren e Paraguait.

“Kur eliminohesh nga Kupa e Botës pasi luan kundër Paraguait është shumë e hidhur. Është shumë e dhimbshme”, ka thënë trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann.

“Ky është eliminimi i tretë radhazi, kështu që nuk jemi më pjesë e ekipeve të klasit të parë”.

Ai mori drejtimin e Gjermanisë në vitin 2023. Por Gjermania arriti vetëm deri në çerekfinale në Evropianin që e organizoi vet në vitin 2024.

Botërori nisi mirë për gjermanët, me fitore 7:1 ndaj Kurasaot. Më pas erdhi fitorja e vështirë, 2:1 ndaj Bregut të Fildishtë dhe kualifikimi u sigurua. Humbja 2:1 nga Ekuadori në ndeshjen e fundit në grup dëshmoi që gjërat nuk janë në nivelin e duhur. Dhe Nagelsmanni tani duhet të luftojë për pozitën e tij. Ka shumë thirrje që ai të shkarkohet.

I pyetur menjëherë pas ndeshjes, Nagelsmann tha se nuk është dikush që largohet, por ka pranuar se nuk do të jetë popullor në mesin e tifozëve gjermanë.

“Qartë se njerëzit nuk do të flasin pozitivisht për mua sot, nëse bëhet një sondazh në Gjermani. E ndjeva mbështetjen në stadium. Nuk mendoj se të gjithë në Gjermani do të pajtohen që unë të qëndroj si trajner i ekipit”, ka shtuar Nagelsmann. Ai ka lavdëruar tifozët gjermanë që ishin në stadium. Ka thënë se përkrahja e tyre ishte e mahnitshme.

“Nuk do të tërhiqem vetëm pse jemi eliminuar. Nëse federata dëshiron që unë të vazhdoj, do të vazhdoj. E di se si funksionon industria dhe shumë njerëz tani duan që unë të largohem”, ka shtuar selektori gjerman.

Edhe para ndeshjes me Paraguain kishte kritika ndaj tij. Por vendosja e fortë në mbrojtje e Paraguait e frustroi Gjermaninë. Dhe një tjetër ngjarje globale u shndërrua në dështim për gjermanët.