Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Pushimet e freskimit në Botëror – fituesit dhe humbësit

boteror

Është bërë skenë e njohur në ndeshjet e Kupës së Botës në futboll.

Arbitri jep shenjë për të ndalur lojën pas rreth 22 minutave në secilën pjesë. Qëllimi është që lojtarët të freskohen duke pirë ujë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pushimi i detyruar prej tre minutash për pije, në të dy pjesët e 104 ndeshjeve të Botërorit, është futur për të ndihmuar lojtarët të përballojnë nivelet e vapës dhe lagështisë lodhëse në Meksikë, Kanada dhe SHBA.

Por jo të gjithë janë të impresionuar nga ky vendim i FIFA-s.

Disa i kanë përshkruar pushimet si ndërprerje për reklama, përkatësisht për të qetësuar transmetuesit amerikanë. Pushimet e freskimit, përkatësisht të hidratimit, bëhen edhe në stadiume me çati lëvizëse, me kontrollim të brendshëm të klimës.

Përzgjedhësi i SHBA-së, Mauricio Pochettino është pyetur për këtë.

“Nuk më pëlqen. Më pëlqen vetëm kur kushtet janë ekstreme. Por kur kushtet janë të mira, është e panevojshme”, ka thënë Pochettino.

Por cilët janë fituesit dhe humbësit e pushimeve të freskimit në Kupën e Botës? Dhe si kanë ndikuar ato?

Kur lojtarët e Brazilit morën ujin në mesin e pjesës së parë të ndeshjes ndaj Marokut, ata me meritë ishin duke pësuar 1:0, pasi e nisën ndeshjen si më keq.

Gjashtë minuta pas vazhdimit të lojës, rezultati u barazua. Vinicius Junior shpërtheu për barazimin 1:1 të Brazilit. Dhe shifrat më nuk ndryshuan.

Selektori i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se ndërprerja për freskim i mundësoi të jepte udhëzime të reja për lojtarët dhe të rregullonte sistemin.

Dhe brazilianët papritmas gjetën momentin.

“Mund t’u shpjegosh lojtarëve një problem”, tha tekniku italian kur u pyet se çfarë përfitimesh mund të arrihen gjatë pushimeve. “Mund të bësh një përshtatje taktike shumë të nevojshme”.

Nëse ndërprerjet e freskimit do të ndihmojnë mirëqenien e lojtarëve, a duhet t’u lejohet trajnerëve të japin udhëzime të reja?

Trajnerja e futbollisteve të SHBA-së, Emma Hayes, duke folur për ITV Sport shpjegoi se ndërprerja e lojës për pushim ndali vrullin e ekipit që po dominonte.

“Është e dobishme për ekipin që e humb momentin. Prandaj i quaj ato ndërprerje të momentit, të vrullit”, tha ajo. Hayes vlerësoi se ekipi që është duke fituar nuk e do pushimin, ekipi që është duke humbur, po.No description available.

Edhe Kanadaja shënoi menjëherë pas pushimit për freskim. Ndodhi në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Bosnjë-Hercegovinës.

Skocia e shënoi golin e fitores ndaj Haitit menjëherë pas një pushimi për ujë. Australia e shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Turqisë në rrethana të ngjashme, shkruan BBC-ja.

Juan Mata, që me Spanjën e fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, ka thënë se nuk do të pëlqente një pushim treminutësh në secilën pjesë kur luante.

“Si lojtar nuk mendoj se është mirë”, ka thënë Mata. “Kur humb, ju dëshironi të shënoni. Kur jeni duke fituar, dëshironi të mbani topin. Mendoj se ka ndikim në momentumin e skuadrave”, ka thënë Mata.

Pra, cilët janë humbësit, përveç tifozëve që kanë paguar çmim të lartë për bileta dhe tani duhet të përballen me pushim më të gjatë në secilën pjesë?

Kuraçao ishte në botën e ëndrrave kur barazoi rezultatin në 1:1 në ndeshjen ndaj Gjermanisë, pak para pushimit për pije.

Megjithatë, vendi më i vogël që ka luajtur ndonjëherë në Botëror, nuk u shfaq njëjtë kur loja rifilloi. Humbi 7:1 në fund. Pushimi për pije u ndihmoi gjermanëve të riorganizoheshin.

Çekia ishte duke dominuar ndaj Koresë së Jugut në pjesën e parë. Por pushimi obligativ i dha fund papritur periudhës së presionit. Dhe kur loja vazhdoi çekët nuk ishin të njëjtit. Në fund pësuan 2:1.

Edhe Holanda ishte duke udhëhequr 2:1 ndaj Japonisë para pushimit për freskim në pjesën e dytë. Por nuk ia doli ta mbajë epërsinë deri në fund. Ndeshja përfundoi 2:2.

Natyrisht, ndërprerjet për ujë nuk janë gjithmonë shkaku i këtyre ndryshimeve në rrjedhë të lojës.

Por qartë se ndërprerjet po bëhen faktorë të rëndësishëm në lojë. Shumë dyshojnë që prioriteti nuk ishin lojtarët kur u menduan këto pushime.

“Është një mënyrë tjetër për të futur reklama nga një këndvështrim amerikan”, tha ish-sulmuesi i Anglisë, Ian Wright.

Derisa pushimet kanë kritikët e tyre, ka të tjerë që besojnë se janë një “ndryshim pozitiv”.

“Unë jam gjithnjë i interesuar për shëndetin e lojtarëve të mi. Mendoj se është masa e duhur. Pushoni, freskoheni dhe vazhdoni tutje”, tha trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente.