Editorial

Thaçi a bëhet dot Hitler?

Për Gjykatën Speciale që ma sponsorizoi udhëtimin në çerdhen e Hitlerit; për Sallën 600 ku u gjykuan oficerët nazistë; për “trafikimin e organeve të pengjeve” dhe mëlmesën në librin e Carla Del Pontes; për rusin Konstantin Kosachev që sponsorizoi hetimin për UÇK-në; dhe për Gjykatën e Hagës që po kthehet në institucion ku prodhohet e vërteta

M’u shfaq para syve Salla 600 e Gjyqit të Nurembergut, kur të hënën nga celulari po ndiqja nisjen e fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe kur prokurori kërkoi nga trupi gjykues 45 vjet burg për secilin.

Nuk shkova si turist në Nuremberg, tetë vjet më parë. Është pikërisht Gjykata Speciale, ku po gjykohen ish-përfaqësuesit e UÇK-së, ajo që mua dhe nja 20 e kusur gazetarëve nga Kosova na e sponsorizoi një “trajnim” në qytetin që, edhe ka qenë çerdhe e nazistëve e edhe i ruan të dokumentuara krimet që ata kryen, më makabret që njeh njerëzimi.

Dhe, Salla 600 është ajo ku, pas rënies së Hitlerit, oficerët nazistë u përballën me gjykimin për krimet që shokuan botën.

Në masë të madhe, salla ruan karakteristikat e asaj që ishte në vitin 1945. Forcat Aleate, pra Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, e kishin përzgjedhur këtë sallë, pikërisht pse ishte më e madhja në rajon, e paprekur nga bombardimet. Megjithëkëtë, i ishte hequr muri i pasmë për t’u zgjeruar, meqë duhej të zinte gjyqtarët, prokurorët dhe të akuzuarit, mbrojtjen dhe stafin teknik, si dhe shumë njerëz që e ndoqën gjyqin, përfshirë rreth 200 gazetarë.

E, në pjesën ballore, midis dy dyerve të mermerta, ka një ndryshim të vogël të llojit të drurit me të cilin është i mbuluar muri. Aty ka qenë një ekran, që përdorej për paraqitjen e filmimeve si prova.

Oficerët nazistë u përballën me mizoritë e tyre që u shfaqeshin në ekran. Me dhoma gazi. Me furra të djegies. Me pirgje kufomash. Edhe me buldozerët që i mbulonin trupat e viktimave.

Në katin e sipërm të gjykatës ndodhet muzeu që ruan të dokumentuar atë çfarë ndodhi në këto gjykime. Një video që u shfaq në një kënd, tregoi reagimin e nazistëve të cilët ndodheshin në bankën e të akuzuarve. Vetëm njëri nga ta mbylli sytë për të mos i parë imazhet e krimeve.

Filmat nuk patën ndikim në vendimet përfundimtare të gjykatës, por ishin forcë bindëse për t’ua hapë gjermanëve sytë, tregoi një cicerone.

***

Kur në 2018-n isha në Nuremberg nuk m’u soll në kokë pyetja pse Gjykata Speciale përzgjodhi këtë qytet dhe jo Hagën, për ta mbajtur seminarin me gazetarët nga Kosova, shumica shqiptarë e nga ta edhe serbë. Pra, pse nga qyteti gjerman duhej të na tregonin se si duket godina e errët në qytetin holandez, ku është gjykatorja, ku ndodhet lozha nga ku mund të përcillen seancat, cilat janë pasojat nëse nxjerr jashtë informata që gjykata thotë se duhen mbetur brenda e të tjera, e të tjera.

Mendja nuk fluturonte diku tjetër, sepse kudo që shihja të dokumentuara krimet e nazistëve, shihja reflektimin e mizorive të aparatit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Dhoma të shtëpive si ajo në lagjen Muqolli në Poklek të Drenasit ku u dogjën 51 civilë, ngjante me furrat e djegies që përdornin nazistët. Dëshmitarë të pirgjeve me kufoma u bënë edhe ndërkombëtarët, si ambasadori William G. Walker në Reçak të Shtimes. Buldozerët groposën gjithandej Kosovës trupat e shqiptarëve të ekzekutuar. 

Klika e Millosheviqit ka shkuar përtej asaj të Hitlerit, me synimin për t’i fshehur krimet. Ka bartur nga Kosova në Serbi kufomat e gjymtuara, duke i groposur thellë në varreza masive ose duke i hedhur në lumenj, si në rastin e kamionit frigorifer me 86 trupa brenda tek notonte në Danub, e që u zbulua nga peshkatarët më 4 prill 1999. Mandej, janë vagonët e trenit, bashkë me kolonat e autobusëve e traktorëve me rimorkio që zbrazën Kosovën. Bartën gati një milion shqiptarë përtej kufijve të Kosovës.

Shumë më vonë kuptova se qëllimi i vizitës në Nuremberg nuk ishte vetëm të shihnim mizoritë historike. Specialja donte të na i “hapte sytë” për “krime” të tjera e “kriminelë” të tjerë. Donte të na mësonte diçka tjetër: si të ndërtohet narrativa për “krime” të shqiptarëve dhe të UÇK-së, që kishte në agjendë t’i gjykonte në vitet pasuese.

Për të gjitha krimet që Serbia i kreu në Kosovë ka dëshmi. Edhe filmime. Më shumë se 2,000 sosh i deponoi në Gjykatën Speciale vetëm një qytetar. Ato do të mund të shfaqeshin edhe në ekran, po t’i zgjerohej kësaj gjykate juridiksioni lëndor e territorial, apo po të kishte një gjykatë speciale për llahtaritë që aparati shtetëror i Millosheviqit i kreu këtu.

Prova të tilla nuk pamë kur këtë javë nisi të jepet fjala përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, ndonëse Specialja pranoi se u furnizua me “prova” edhe nga shteti serb, represionit të të cilit iu kundërvu me armë UÇK-ja. Tani 4-shja përballen me akuzën për ndërmarrjeje të përbashkët kriminale si njerëz që kanë udhëhequr UÇK-së, me qëllim që ta mbanin kontrollin e pushtetit në Kosovë, duke eliminuar kundërshtarët realë ose të perceptuar, serbë e shqiptarë. Në mungesë filmimesh, aktakuza u mbrojt këtë javë duke shfaqur në ekran ndonjë paragraf komunikate, gazete a paragraf libri.

***

Jo provat, por një mëlmesë e vënë në një libër u bë themel për ngritjen e Gjykatës Speciale. 
Në librin e saj të botuar në vitin 2008, “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”, ish-kryeprokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, shkroi se anëtarë të UÇK-së ishin përfshirë në trafikimin e organeve të pengjeve, që shiteshin jashtë për qëllime transplantimi.

Prokurorja që humbi rastin ndaj Ramush Haradinajt shkroi se organet iu morën të rrëmbyerve që i dërguan në Shqipëri, në atë që njihet si Shtëpia e Verdhë, e cila ndodhet në një fshat të thellë malor të Burrelit.

Menjëherë, pra më 15 prill 2008, kryetari i delegacionit të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, sponsorizoi një rezolutë me titullin monstruoz për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë. Mocioni u nënshkrua edhe nga anëtarë të Këshillit, si Miloš Aligrudić nga Serbia, Mikhail Margelov nga Rusia, por pati edhe nga vende që atëkohë e kishin njohur pavarësinë e Kosovës.

Tribunali Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë nuk i dha vëmendje asaj çka shkroi Del Ponte, sepse hetimi që vetë bëri paraprakisht nuk konstatoi kryerjen e operimeve kirurgjike në shtëpinë e moçme prej guri, e aq më pak nxjerrje organesh për qëllim transplantimi. Ekipit i priu Mattu Raaitikaine. Në të u bashkuan edhe anëtarë të Zyrës për Persona të Pagjetur dhe Forenzikë në Kosovë (OMPF): Jose-Pablo Baraybar, drejtues i OMPF-së, Alain Witmnn, fotograf i forenzikës, Tom Grange, ekzaminues i forenzikës së vendit të krimit, Tania Delabarde, antropologe e forenzikës e Hroar Frydelund, ekzaminues i forenzikës së vendit të krimit.

Raporti, që mban nënshkrimin e Jose-Pablo Baraybar, thotë se familja u ka dhënë qasje të lirë në të gjitha dhomat, dhe u është lejuar t’i kryejnë ekzaminimet pa ndonjë kufizim.

“Në secilën prej dhomave është kërkuar për dëshmi të gjakut, por rezultatet ishin negative”, thotë raporti. “Pas ekzaminimit të tërë shtëpisë, vendosëm të përdornim ‘luminën’ kemikale për të kontrolluar për gjurmë gjaku, të cilat nuk do të mund të shiheshin nga syri i njeriut”. 

As me përdorimin e kësaj materieje nuk u gjetën gjurmë gjaku.

Pavarësisht kësaj, me mocionin e bërë nga Konstantin Kosachev, u kërkua “hetim i plotë” dhe u theksua se “krime të tilla monstruoze meritojnë dënimin më të fortë nga popujt evropianë, të mbledhur në Këshillin e Evropës me qëllimin e përbashkët për ‘mbrojtjen dhe zbatimin e idealeve dhe parimeve që janë vlerat e tyre të përbashkëta’”.

Si provë, mocioni prezantoi citate libri të një prokuroreje që paraprakisht nuk kishte siguruar prova për ta paraqitur akuzën në Hagë.

Por, Komiteti Juridik i Këshillit të Evropës e pranoi mocionin dhe emëroi raportues vendasin e prokurores Del Ponte, senatorin zviceran Dick Marty, i njohur për hetimet mbi burgjet sekrete të CIA-s.

Marty shkroi raportin, dhe përfshiu edhe pretendimin ekstrem për pengjet e mbajtura në veriun e izoluar të Shqipërisë. Shkroi se atyre iu hoqën veshkat dhe u shitën në “treg të zi” ndërkombëtar, me qëllim transplantimi.

Raporti mori vulën e Këshillit të Evropës. U miratua dhe më pas u krijua Task-Forcë ndërkombëtare për ta hetuar këtë pretendim, dhe shumë të tjerë që u listuan në raport.

Task-Forca nuk gjeti prova për trafikim organesh të pengjeve.

Por, kjo më nuk ishte e rëndësishme. Mjaftoi të shërbente për qëllimin – themelimin e një mekanizmi që gjykon njerëzit e UÇK-së. Dhe u krijua. Nën kërcënimin se atë do të mund ta formonte edhe OKB-ja, Kosova pranoi ta themelojë vetë Gjykatën Speciale, e cila nuk do të kishte asgjë të Kosovës: as seli e simbole, as hetues e prokurorë, as gjykatës e administratë, dhe asgjë tjetër. Të vetmit kosovarë në të do të ishin të akuzuarit, dhe disa prej dëshmitarëve.

***

Procesi gjyqësor u zhvillua ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, që për 5 vjet u mbajtën në paraburgim: Thaçit, që në kohën kur iu ngrit aktakuza ishte president i Kosovës, Veselit që mbante pozitën e kryeparlamentarit, Selimit që ishte kryetar i grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kosovë, dhe Krasniqit, që për disa mandate ishte kryeparlamentar. Të katërtit u akuzuan se, që nga koha kur kanë vepruar në LPK, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë”, “tradhtarë” e kundërshtarë politikë për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Thua se UÇK-ja u formua për të kapur pushtet, e jo për të luftuar kundër aparteidit.

Akuzat e përshkruara janë si disa qëllime të Hitlerit, të listuara në “Mein Kamf”, ku politikën e paraqet si betejë ekzistenciale dhe kundërshtarët politikë si armiq që duhen eliminuar nga jeta publike. 
Thaçi e të tjerët u ngarkuan me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave. Po kështu, edhe me nga katër akuza për krime lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, si dhe vrasje e paligjshme.

Kryeprokurori i Speciales kërkoi dënim kapital për secilin. 

Kjo u kërkua para një gjykate që sponsor ka Rusinë, delegacioni i së cilës u përjashtua pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, ndërsa ndaj kryetarit të këtij shteti, Vladimir Putin, ka urdhërarrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, pasi akuzohet si përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina për në Rusi, që përbën krim lufte.

***

Në Nuremberg, edhe në “seminar” e edhe në “vizitat studimore” që na i sponsorizoi Gjykata Speciale, një gjë s’u mohua: krimet kundër njerëzimit, që u definuan në procesin gjyqësor ndaj nazistëve, kryhen nga aparate zbatuese me strukturë të qartë komanduese. Shembuj të kësaj na prezantuan edhe kur iu referuan gjenocidit në Ruandë e edhe krimeve të Khmerëve të Kuq në Kamboxhia, për të cilat u zhvilluan procese gjyqësore ndërkombëtare.

Prandaj, kur kryeprokurorja e Speciales kërkoi 45 vjet burg për secilin, mendja më shkoi sërish në Sallën 600. Atje, dënimet u shqiptuan pasi bota pa me sytë e saj një aparat shtetëror që planifikoi dhe zbatoi shfarosjen e miliona njerëzve.

Në këtë proces në Hagë, përkundrazi, kërkohet të provohet një aparat i tillë duke e rindërtuar nga copëza deklaratash, libra kujtimesh dhe interpretime politike, të tipit të prokurorit Matt Halling i cili, pa prezantuar ndonjë provë, tha të martën se Thaçi i ka mashtruar ndërkombëtarët, përfshirë edhe James Rubinin dhe Wesley Clarkun e ndërkombëtarë të tjerë, që dëshmuan se në UÇK nuk funksionoi hierarkia.

Nurembergu u bë simbol, sepse aty për herë të parë u vunë themelet për gjykim të krimeve kundër njerëzimit dhe përgjegjësisë individuale penale të udhëheqësve shtetërorë. Në Sallën 600 drejtësia u ngrit mbi prova që ekzistonin para aktakuzës, e kur verdikti u dha, faktet nuk linin hapësirë për dyshim.
E, në Hagë shumë dyshime janë ngritur në këta vjet, prejse funksionon Specialja. Asnjë aktakuzë për krime lufte nuk është rrëzuar. Disa gjykatës nuk janë kursyer nga pyetje orientuese e nga vendime që ua mbajnë anën prokurorëve. 

Në dukje, rendi është përmbysur. Për narrativën e ndërtuar fillimisht, kërkohet të gjenden elemente për ta mbështetur. Dhe, kësaj s'i thonë gjykatë, por mekanizëm ku prodhohet e vërteta. 

Kjo ndoshta ishte arsyeja pse na çuan në Nuremberg në 2018-n. Pra, jo për të na e treguar drejtësinë pas barbarisë së nazistëve, por për të na mësuar si mund të ndërtohet një gjykim duke përdorur Nurembergun si metaforë. Apo për të na bindur se Thaçi është si Hitleri.