Kosova po e thellon varësinë nga importi. Vetëm për 9 muajt e këtij viti u importuan mbi 5 miliardë euro mallra, gjysmë miliardi më shumë se vitin e kaluar, ndërsa eksportet ranë me rreth 30 milionë euro. Oda Ekonomike paralajmëron se çmimi i lartë i energjisë dhe mungesa e mbështetjes institucionale po e dobësojnë prodhimin vendor.
Produktet kosovare kanë tkurrur prezencën në tregjet ndërkombëtare, por edhe në ato vendore.
Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë për rritje të importeve për gjysmë miliardi euro për 9 muajt e këtij viti krahasuar me vitin e kaluar apo 11 për qind më shumë, e rënie të eksportit për rreth 30 milionë euro.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e rendit daljen në treg të lirë të energjisë si një ndër faktorët kryesorë për rënie të prodhimit vendor.
“Ne nuk po arrijmë që të zgjerojmë tregun me produkte tona e ta ulim importin. Është një situatë që e kemi alarmuar shumë herët, edhe përmes mediumit tuaj, ku kemi thënë se çështja e energjisë elektrike do të ndikojë që prodhimet e huaja ta marrin tregun e Kosovës, ndërsa prodhimet tona do të zhduken, pasi nuk do të munden të mbijetojnë me këtë çmim të energjisë, shto këtu edhe barrierat e tjera që i kanë, shto këtu që nuk mundën ta gjejnë edhe një partner të huaj për shkak të sigurisë politike dhe juridike që nuk e kemi dhe kjo e ul prodhimin tonë”, tha Rafuna.
Deri më 23 shtator të këtij viti, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, u importuan rreth 5.06 miliardë euro, ndërsa vjet, në periudhën e njëjtë, u importuan 4.5 miliardë.
Por, krahas rritjes së importeve pati tkurrje të pranisë së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Vjet u eksportuan 658 milionë euro, ndërsa sivjet 630 milionë.
Përveç çështjes së energjisë elektrike, Rafuna përmend edhe disa faktorë të tjerë që ndikuan në rënie të eksporteve.
“Është difersifikimi i prodhimeve tona, një strategji jo e qartë e Qeverisë së Republikës sonë për të identifikuar se cilët janë sektorët konkurrues dhe në ata sektorë të shkojë me një paketë të subvencionimit apo mbështetjes institucionale, që një nga faktorët e tjerë është edhe mosmbështetja institucionale për shtimin e prodhimeve, shto këto që nuk kemi pasur ndonjë angazhim të Qeverisë për të negociuar apo për të bërë presion me vendet e rajonit, apo vendet e Bashkimit Evropian që produktet tona të mos kenë pengesë gjatë eksportimit të tyre dhe shto këtu më pas edhe që ishim nën masa të sanksioneve, sidomos siguria politike për shkak të deklaratave tona që e kemi përsëritur që nuk janë të mira për shkak të investimeve të huaja që ne po sulmohemi”, tha Rafuna.
E primatin në tregun kosovar këtë vit, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, e kanë produktet turke, pasuar nga ato gjermane, kineze, shqiptare dhe greke.
Vlera më e madhe e produkteve që importohen janë produkte minerale, ushqimore, mjetet të transportit dhe makineri e pajisje të ndryshme elektrike.
Ndërsa produktet kosovare këtë vit prezencën më të madhe e kanë në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
Kosova kryesisht eksporton metale bazë, produkte minerale, ushqime të papërgatitura e plastikë dhe goma.