Ekonomi

Kina - ndër vendet kryesore nga importohen mallrat në Kosovë, Serbia nga vendi i parë bie në të nëntin

Importet e Kosovës kanë shënuar një rritje prej 15.5 për qind krahasuar me muajt janar-prill të vitit 2024. Gjermania, Turqia dhe Kina janë tri vendet nga u importuan rreth 40 për qind të mallrave gjatë kësaj periudhe janar-prill 2025. Eksportet u tkurrën, ndërsa konsumi vazhdon të rritet, i mbështetur nga diaspora dhe kreditimi. Ekspertët e kritikojnë mungesën e mbështetjes për prodhimin vendor dhe mosangazhimin institucional

Gjermania, Turqia dhe Kina janë tre partnerët kryesorë të Kosovës në import në katërmujorin e parë të këtij viti. 

Nga janari deri në prill, vetëm nga këto tri vende u importuan rreth 845 milionë euro, apo rreth 40 për qind e të gjitha importeve, që ishin në vlerë prej 2 miliardë e 152 milionë euro. Kjo shifër është për 15.5 për qind më e lartë krahasuar me janar-prill të vitit 2024. Vjet u importuan mbi 6 miliardë euro mallra.  
Kosova importon nga Gjermania kryesisht vetura dhe makineri të tjera. 

Nga Turqia importohen kryesisht shufra çeliku, cigare, naftë e medikamente, ndërsa nga Kina kondicionerë të ajrit, kompjuterë e telefona.

Rritja e importeve, sipas Blendi Hasajt, drejtor i Institutit GAP, tregon se Kosova është ekonomi konsumuese dhe se konsumin e bazon në importe. 

Konsumi, sipas tij, vazhdon të rritet shkaku i rritjes së kreditimit në vend dhe vazhdimit të dërgesave nga diaspora, të cilat mbi 80 për qind shkojnë në konsum.

“Investimet që po i bën diaspora në patundshmëri, që e nxisin edhe importin e produkteve për ndërtim dhe çështje të ngjashme është kjo pak a shumë ajo që po e nxit konsumin në vend dhe kjo përballë një ekonomie, që eksporti nuk po arrin të zgjerohet, apo që të ketë kapacitet të mjaftueshëm që të hyjë në tregje të reja, të rritet vëllimi i prodhimit, të avancojmë disa praktika nëpër ndërmarrje që të mund të eksportojmë më shumë dhe si rrjedhojë pra ne vetëm se po shkojmë në vend se të kemi një përmirësim po e kemi një stagnim”, ka vlerësuar Hasaj. 

Mallrat kosovare në tregjet ndërkombëtare u tkurrën për 10 milionë euro, krahasuar me janar-prill 2024, kur u eksportuan afro 270 milionë euro mallra. 

KOHA ka kërkuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përgjigje se çfarë masash ka ndërmarrë ky dikaster për uljen e deficitit tregtar, por nuk ka marrë përgjigje nga ky dikaster që nga e mërkura e javës që shkoi.

Rënia e eksporteve, sipas profesorit të ekonomisë, Ilir Hajdini, flet për mungesën e përkrahjes së prodhimit vendor. 

Ai thotë se edhe ambasadat do të duhej që ta luanin një rol në promovim të produkteve vendore.

“Ideja është që ambasadat të organizojnë forume të ndryshme, të shtyjnë bizneset që të marrin pjesë nëpër ekspozita, nëpër tubime të ndryshme, të cilat ua mundësojnë atyre që t’i promovojmë prodhimet vendore, pastaj në bashkëpunim me qeveri të ndryshme që t’i shtyjnë, sepse tani po e zëmë BE është duke kërkuar burime alternative të furnizimeve dhe të furnitorëve meqenëse pritet që të kemi një dobësim të raporteve ekonomike mes BE dhe Kinës dhe vendeve të largëta, dhe në mënyrë që ata ta rrisin sigurinë e furnizimeve janë duke shikuar në tregjet e Evropës Lindore”, ka thënë Hajdini. 

Nga viti 2018 Kosova i ndryshoi partnerët tregtarë. Derisa më herët mallrat serbe kishin primatin në tregun e Kosovës, ato filluan të zëvendësohen. Aktualisht Serbia është e nënta nga vendet importuese, pas Maqedonisë së Veriut, që renditet e katërta dhe Shqipërisë, që është e gjashta. Nga këto tri vende të rajonit, në këtë periudhë u importuan mallra në vlerë rreth 318 milionë euro apo 14.77 për qind e totalit të importit.