Punëtorë të 33 ndërmarrjeve shoqërore ka 6 muaj që nuk i kanë marrë mjetet e 20 përqindëshit, shkaku i një bllokade në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Në këtë institucion thanë se kanë probleme me Sistemin e Menaxhimit të Lëndëve. E avokati Bejtush Isufi, i druhet edhe një bllokade tjetër nga gushti, kur një numri të anëtarëve të bordit të AKP-së i përfundon mandati
Janë 141 punëtorë të 33 ndërmarrjeve shoqërore që ende nuk i kanë marrë mjetet e 20 përqindëshit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ani se listat përfundimtare për përfituesit janë publikuar prej disa muajsh, ata kanë mbetur peng i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Në AKP kanë thënë se shpërndarja e mjeteve nuk është bërë, pasi janë në pritje të konfirmimeve nga ky institucion për numrin e ankesave të punëtorëve ndaj listave përfundimtare.
“Sipas Rregullores së UNMIKUT 2003/13, që e rregullon çështjen e 20 përqindëshit, nuk mund të bëhet shpërndarja e parakohshme pa e pasur konfirmimin e numrit të ankesave nga Gjykata. AKP-ja ende është në pritje të këtyre konfirmimeve”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
E në Dhomën e Posaçme kanë thënë se kanë probleme me Sistemin e Menaxhimit të Lëndëve.
“Sistemi i Menaxhimit të Lëndëve, SMIL, nuk po i gjeneron të dhënat e përgjithshme. Jemi duke e bërë një regjistrim të lëndëve dhe shpresojmë që shumë shpejt do të mund t’i gjenerojmë të gjitha të dhënat”, thuhet në arsyetimin e kësaj Dhome.
Ndërkaq, avokati Bejtush Isufi, i cili e përfaqëson një numër të palëve në Dhomë të Posaçme, thotë se punëtorët ka mbi 6 muaj që janë në pritje të mjeteve. Përveç vonesave nga Dhoma, ai e përmend edhe një problematikë tjetër.
“Vonesa në listat e 20 përqindëshit kanë qenë deri tash jo vetëm për shkak të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, por edhe për shkak të vonesave të Qeverisë së Kosovës, që t’i bëjë pagesat me kohë për objektet dhe asetet e shpronësuara nga AKP-ja. Për fat të keq, Qeveria e Kosovës ka qenë neglizhente që nga fillimi që t’i bëjë pagesat me kohë, siç e obligon ligji, e sipas ligjit 24 muaj është më së gjati që mund të vonohet e asnjë ditë më tepër”, ka thënë Isufi.
Ky avokat ka shprehur drojën edhe për një bllokadë të re që mund të krijohet në lidhje me shpërndarjen e mjeteve.
“Për shkak të skadimit të mandatit të pjesës më të madhe të bordit të AKP-së, nga fillimi i gushtit nuk do të kemi bord funksional dhe përsëri vonesat do të zgjaten me muaj të tërë derisa të konstituohet Kuvendi dhe pastaj deri të vijë në rend të ditës çështja e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të bordit”, ka thënë Isufi.
Sipas raportit vjetor të AKP-së, vjet janë shpërndarë 3 milionë e 445 mijë euro për 5.052 punëtorë përfitues të 20 përqindëshit nga shitja e aseteve.