Derbi i madh mes Holandës dhe Francës nuk ka dhënë fitues. Madje nuk ka ofruar as gola. Ndeshja e zhvilluar të premten mbrëma në Leipzig ishte e para në “Euro 2024” që nuk e ofroi asnjë gol.
Në fushë kishte yje të shumtë të futbollit. Kishte edhe raste nga të dy palët, por në fund rezultati ishte 0:0.
Kylian Mbappe nuk luajti për Francën, ndonëse pritej të paraqitej me maskë. Ai megjithatë mbeti në stol.
Që në minutën e parë rast të mirë kishte Holanda. Franca u përgjigj menjëherë. Dhe kështu ishte e gjithë ndeshja, me raste në të dy anët. Tempoja ishte shumë e lartë gjatë 90 minutave.
Holanda i kishte shtatë raste për gol, ndërsa Franca plot 16. Holandës në pjesën e dytë iu anulua një gol për pozitë jashtë loje.
Holanda e Franca mbesin në pozitat një e dy në Grupin D me nga katër pikë. Austria është e treta me tri pikë, ndërsa Polonia mbetet pa pikë dhe tashmë është e eliminuar.
Më 25 qershor, Holanda luan me Austrinë, ndërsa Franca me Poloninë.
Lojtari i ndeshjes: Kush tjetër pos Kantes
N’Golo Kante është kthyer shumë fuqishëm te Franca. Për herë të dytë në Euro 2024 ai është shpallur lojtari më i mirë.
UEFA e vlerësoi më të mirin edhe në ndeshjen mes Holandës dhe Francës.
“Ishte shumë i rëndësishëm për pjesën defenzive gjatë gjithë ndeshjes. Por ishte me ndikim edhe në momentet sulmuese të Francës”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.
Holanda shënon, por VAR-i ia anulon
Holanda kaloi në epërsi përballë Francës në minutën e 69-të, por goli iu anulua pas intervenimit të VAR-it.
Xavi Simons realizoi, por goli u anulua pasi u vlerësua se Denzel Dumfries ishte në pozicion jashtë loje.
VIDEO:
XAVI SIMONS 🇳🇱(2003) BREAKS THE DEADLOCK WITH A GREAT FINISH!!!#EURO2024 pic.twitter.com/itexYEMDYe
— Football Report (@FootballReprt) June 21, 2024
Nis pjesa e dytë
Ka nisur pjesa e dytë mes Holandës dhe Francës.
Pjesa e parë pavarësisht që nuk prodhoi gola, pati disa raste të mira shënimi.
Raste po, gola jo pas pjesës së parë
Holanda dhe Franca e kanë mbyllur pa gola pjesën e parë.
Të dyja ekipet patën raste të mira shënimi, por nuk arritën të konkretizonin.
45-minutëshi i parë u karakterizua me ritëm të lartë.
Superndeshje mes Holandës e Francës
Holanda e Franca po luajnë ndeshje shumë të mirë. Holanda rrezikoi që në minutën e parë, ndërsa më pas rast të mirë kishte edhe Franca.
Rezultati mbetet 0:0, kur janë zhvilluar 10 minutat e parë të ndeshjes në Leipzig.
Holanda rrezikon në minutën e parë
Holanda ka rrezikuar portën e Francës në minutën e parë të takimit.
Jeremie Frimpong depërtoi deri në zonë, por gjuajtjen e tij e ndali Mike Maignan.
Nis ndeshja
Ka nisur ndeshja mes Holandës dhe Francës, e vlefshme për Grupin D të “Euro 2024”.
Ndeshja po luhet në Leipzig. Të dyja ekipet kanë nga një fitore.
Mbappe megjithatë nuk starton te Franca
Kylian Mbappe nuk starton te Franca në ndeshjen ndaj Holandës që fillon në ora 21:00. Antoine Griezmann e Ousmane Dembele janë në sulm së bashku me Marcus Thuram.
Mbappe theu hundën në ndeshjen e kaluar, ndërsa pritet të aktivizohet si zëvendësues, nëse ka nevojë.
Memphis Depay udhëheq sulmin e Holandës.
