Euro 2024

Luke Shaw i gatshëm të startojë në gjysmëfinale

Luke Shaw

Luke Shaw

Mbrojtësi anglez, Luke Shaw, ka thënë se është i gatshëm të startojë në gjysmëfinalen e së mërkurës ndaj Holandës në Euro 2024. Shaw ka theksuar se është i gatshëm të vazhdojë para, pas lëndimit që e mbajti gjatë jashtë fushës dhe debatit për përzgjedhjen e tij për Evropian.

Lojtari i Manchester Unitedit e luajti ndeshjen e parë që nga muaji shkurt, kur u aktivizua të shtunën për Anglinë në çerekfinale ndaj Zvicrës. 

Gjysmëfinalja e Anglisë me Holandën zhvillohet të mërkurën në Dortmund.

“Natyrisht se jam i gatshëm, por i takon përzgjedhësit të vendosë. Por po ndihem gati”, ka thënë Shaw të hënën.

Shaw ka falënderuar selektorin Gareth Southgate për besimin që kishte ndaj tij. Anglia është kritikuar shumë për mënyrën se si ka luajtur deri më tani.  

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të fitojmë. Këtë moment, pavarësisht nëse njerëzve u pëlqen apo jo, e rëndësishme është që jemi në gjysmëfinale. Gjërat tjera nuk kanë rëndësi”, ka thënë Shaw. 

Shaw është i vetmi lojtar në ekipin e Anglisë që pozitë natyrale e ka atë të mbrojtësit të majtë. Për këtë edhe është përzgjedhur, ndonëse i lënduar.