Arbëri

Të premten protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, ekzekutivi pa qëndrim për rritjen e paralajmëruar

kesco keds fatura tarifa

Foto: Driton Paçarada

Është thirrur për të premten një protestë kundër paralajmërimit për rritjen prej rreth 21 për qind të tarifave të rrymës. Në Ministrinë e Ekonomisë nuk dhanë qëndrim rreth kërkesës së KESCO-s për këtë shtrenjtim e në ZRRE njoftuan se janë në proces të shqyrtim të saj

Dy ditë para protestës së paralajmëruar popullore kundër rritjes së çmimit të rrymës, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk e komentoi kërkesën e KESCO-së që tarifat të rriten për 21 për qind.

Nga vizita në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, ku janë përuruar investime në efiçiencë të energjisë, Rizvanolli tha se do të pritet raporti konsulatativ i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të dhënë komente.

“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE do të publikojë atë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme”, është shprehur Rizvanolli.

E pyetur rreth rritjes së importit të energjisë, Rizvanolli tha se kjo ka ndodhur shkaku i investimeve në KEK, ndërsa shtoi se situatë e njëjtë do të jetë edhe gjatë këtij e vitit të ardhshëm.

“Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Është investimi i parë serioz që po bëhet në KEK, pas 40 viteve”, theksoi Rizvanolli.

KESCO-ja veçse e dorëzoi aplikimin për të hyra maksimale të lejuara, në bazë të të cilit kërkoi që tarifat e rrymës të rriten për rreth 21 për qind. Këtë kërkesë e justifikoi me rritjen e importit të energjisë elektrike, e që, sipas saj, vitin e shkuar i tejkaloi vlerat e lejuara prej afërsisht 36 milionë euro.

ZRRE-ja njoftoi se është në proces të shqyrtimit të aplikacionit.

E në kundërshtim të kërkesës për rritje të tarifave, një grup aktivistësh bënë thirrje për protestë të premten.

Qytetarët i dolën në mbështetje kësaj thirrjeje për protestë, porse nuk shprehën pritje se ajo do të ketë efekt.

“Gjithsesi, sidomos për rrymë duhet me dalë të gjithë… Qysh do me i përballu pensioneri me 150-160 euro, ta paguajmë rrymën, ujin, mbeturinat e çka me hëngër tani? Këtu është, kjo është e pabesueshme”, ka theksuar qytetari Bajram Kastrati.

E dyshime se protestat do të kenë ndonjë ndikim ka shprehur qytetari Ali Rexha. 

“Jo, kurrë s’kanë bë efekt protestat, asgjë, veç me u tregu popullatës që nuk është në rregull. Tjetër gjë s’mundemi me bë, veç me tregu që nuk është në rregull, duhet me qenë me arsye, me logjikë, me bazë, e jo veç me ja fut kot. Nuk e di, s’kam ide”, ka deklaruar ai.

Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 13:00 para objektit të KEDS-it dhe të vazhdojë më pas drejt asaj të Qeverisë.