Euro 2024

Nuk ishte i përkryer, por Evropiani ishte sukses për arsyet e duhura

Euro 2024

Kampionati Evropian tashmë ka përfunduar, ndërsa pyetja që bëhet është se si do të mbahet mend “Gjermania 2024”.

Evropiani ishte një sukses. Ndoshta nuk ishte gjithnjë turne i mrekullueshëm për futbollin, por ka qenë i mirë për arsyet që kanë vërtetë rëndësi.

Ishte i suksesshëm për miliona tifozët që udhëtuan për në Gjermani dhe për përvojat e përbashkëta që ata kishin derisa shikonin futboll së bashku dhe kalonin kohë të mirë. Edhe për nikoqirët ka qenë kënaqësi. Në Gjermani u bënë krahasime me Kupën e Botës 2006. Krahasimi ishte i pashmangshëm, por jo edhe real.

Megjithatë, nuk kishte “përrallë verore” të dytë. Euro 2024 nuk ishte kampionati më i mirë i zhvilluar ndonjëherë, por nuk ishte as zhgënjyes. Ishte shumë larg kësaj të dytës në fakt.

Finalja e së dielës ishte ndeshja e 51-të e turneut që zgjati 31 ditë. Gjermania luajti ndaj Skocisë në nismë, më 14 qershor. Jo të gjitha ndeshjet ishin të jashtëzakonshme. Për të qenë të sinqertë, disa prej ndeshjeve ishin të mërzitshme. Por të tillë janë turnetë e mëdhenj. Por sërish kishte mjaftueshëm ndeshje argëtuese në çdo fazë të turneut.

Një prej gjërave që u bë temë e këtij Evropiani ishte se si ekipet e vogla kanë befasuar me paraqitje. Kanë luajtur futboll më atraktiv se disa prej përfaqësueseve të mëdha.

Por ishin tifozët ata që u dalluan prej fillimit. Nuk do të harrohen dhjetëra mijëra përkrahës të Skocisë në Munih, në hapje të Evropianit. Do të mbahet mend festa e tyre edhe pasi Skocia humbi thellë nga Gjermania. Njëjtë ishte thuajse në secilin qytet ku kishte ndeshje të Evropianit.

Ka pasur fare pak incidente. Nga perspektiva e sigurisë së tifozëve ishte një turne paqësor, që është brilante.

Ishte mbresëlënëse ecja masive e tifozëve holandezë për në stadium, që e bëjnë vazhdimisht ata. Apo edhe zhurma që tifozët rumunë krijuan gjatë ndeshjen me Sllovakinë.

“Unë e kam parë vendin dhe turneun nga këndvështrimi i një gjermani, i një eksperti dhe i një tifozi të futbollit. Dhe kam shijuar çdo aspekt. Kombinimi i shikimit të futbollit dhe takimi me njerëz që mendojnë njëjtë ishte gjë e bukur. Njëra prej ndeshjeve më të mira që kam parë në Evropian përfundoi me rezultatin që lëndoi gjermanët – humbja e Gjermanisë nga Spanja. Ndeshja mund të kishte drejtim tjetër, por Spanja avancoi me sukses. Është mëkat që Gjermania është dashur të luaj me Spanjën në çerekfinale”, ka analizuar ish-reprezentuesi i Gjermanisë, Thomas Hitzlsperger, që ishte i angazhuar si analist i futbollit gjatë Evropianit.

Ai e ka vlerësuar paraqitjen e Gjermanisë, ndonëse ajo u ndal pak herët. Herët u eliminuan edhe përfaqësuese të tjera të mëdha. Por më të mirat ishin në finale. Dhe më e mira fitoi.