Granit Xhaka është kapiten dhe lider i përfaqësueses së Zvicrës. Si lider i vërtetë, edhe ka folur në një intervistë të gjatë për SDA. Xhaka është i bindur se Zvicra do të jetë e suksesshme në Kampionatin Evropian që fillon më 14 qershor në Gjermani.
Fakti se Evropiani mbahet në Gjermani i shkon edhe më shumë në favor Xhakës. Ai thotë se në Gjermani ndihet si në shtëpi dhe atë për shumë arsye.
Mesfushori i është bashkuar Zvicrës, pas sukseseve madhore me Bayer Leverkusenin. Leverkuseni e fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, pa e pësuar asnjë humbje. Ndërkohë u mposht në finale të Ligës së Evropës. Dhe Xhaka ka pyetur pse gjëra të tilla të mëdha nuk mund të arrihen edhe me Zvicrën.
“Kur vjen në grumbullim si kampion, ju jeni më i uritur se asnjëherë më parë. Nuk është se nuk kam fituar asgjë në të kaluarën, por të fitosh titullin në atë mënyrë është diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Takimet e shumta me selektorin Yakin, më kanë bërë mirë po ashtu. Kemi vendosur synime të mëdha për Evropian dhe do të bëjmë çdo gjë të mundur për t’i realizuar ato. Dua t’i jap ekipit përkrahje sa më shumë të jetë e mundur, trajnerit, stafit. Dua të jem shembull si kapiten dhe si lider”, ka thënë Xhaka.
31-vjeçari është i kënaqur me fazën përgatitore të Zvicrës. Ka përmendur intensitetin e duhur dhe fokusin.
Sipas Xhakës, periudha e gjatë pa fitore në kualifikime nuk i ka bërë ndonjë dëm Zvicrës. Thotë se kanë mësuar shumë prej saj.
“Jemi kthyer në rrugën e duhur. Por natyrisht kjo duhet të dëshmohet më 15 qershor ndaj Hungarisë. Zvicra qartë se do të jetë e uritur në fushë. Më pas do të kërkojmë për më shumë sukses”, ka thënë Xhaka.
Ai është plot vetëbesim para Evropianit. Thotë se edhe te lojtarët tjerë ka vetëbesim të madh, pas sukseseve që kishin në nivel klubesh.
“Pse të mos jemi në gjendje të bëjmë diçka të tillë edhe me Zvicrën po ashtu? Çka na ndalon të jemi përfaqësuesja që befason në Evropian? Kam parë këtë mentalitet në kamp. Për këtë arsye them që këtë duhet ta shfaqim në fushë”.
Xhaka ka synime të mëdha, por ka parë që edhe të tjerët po ashtu synojnë të shkojnë larg në Evropian. Ai ka pranuar se i vetëm nuk mund t’ia dal. Pret ndihmë edhe nga bashkëlojtarët.
“Shumë kanë marrë përgjegjësi në klub, por pak në ekipin nacional. Kam provuar të flas me disa prej tyre, si Manuel Akanjin për shembull. Ai luan në top-nivel për shumë vjet. Tani duhet të marr më shumë përgjegjësi edhe te Zvicra. Më duhet edhe Yann Sommeri, Remo Freuleri, Denis Zakaria dhe natyrisht Shaqiri. Nuk ka të bëj vetëm me Granitin. Ka të bëjë me përkrahjen e domosdoshme, brenda dhe jashtë fushës.
Përfaqësuesen e Zvicrës ditë më parë e vizitoi kampioni i skijimit, Marco Odermatt. Dhe ajo vizitë i ka ndihmuar shumë shpirtit ekipor të helvetikëve. Odermatt ka treguar se kur shokët e tij janë në pushime, ai ushtron i vetëm për katër apo pesë javë dhe kjo e bën dallimin më pas në pistën e skijimit.
Xhaka thotë se e bën të njëjtën për katër apo pesë vjet. Dhe tani e di që është në rrugën e duhur.
Sipas Xhakës, gjenerata aktuale e Zvicrës meriton të shkruaj histori. Thotë se grupi i lojtarëve është i bashkuar, kalon mirë dhe të gjithë dëshirojnë të jenë të suksesshëm.
Në fund të intervistës ka folur edhe për Gjermaninë si vend.
“Është si shtëpi e dytë për mua. Edhe para transferimit në Bayer Leverkusen, i kam thënë gruas sime që dua të kthehem në Gjermani. Në momentin kur kam nënshkruar e kam ditur që kjo është shtëpia ime. Kam kaluar vite të rëndësishme të karrierës në këtë vend. Gjermania më jep diçka të veçantë. Ndihem në shtëpi”, ka thënë Xhaka.
Por cilat janë synimet konkrete të Zvicrës në “Gjermania 2024”?
“Synimi i parë është të kalojmë grupin. Nëse nuk e realizojmë këtë do të jetë dëshpëruese. Nëse lëvizim para, do të shkojmë hap pas hapi. Jam i bindur që do të paraqitemi edhe më mirë se në Botërorin në Katar”, ka thënë Xhaka.