Pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, filmi “Burri i shtëpisë”, nën regji e me skenar të Andamion Muratajt, është dhënë premierë në Kosovë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. “Burri i shtëpisë” është film prekës, shpeshherë poetik. Është kuptimplotë dhe sinqeriteti i personazheve është i thellë.
Burrnesha moderne është në qendër të filmit “Burri i shtëpisë”, nën regji e me skenar të Andamion Muratajt. Filmi i gjatë artistik, nëpërmjet portretit të Franit të luajtur nga aktorja Drita Kaba-Karaga shpalos, midis tjerash, një pjesë të identitetit shqiptar e temën autoktone. Ky film e ka përmbyllur programin e edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”.
“Burri i shtëpisë” është film prekës, shpeshherë poetik. Është kuptimplotë dhe sinqeriteti i personazheve është i thellë. Aty nuk ka dredhi, as tradhti.
Në qendër ka Franin, një grua që ka zgjedhur të bëjë jetë beqare si burrë, duke ndjekur traditën e burrneshave shqiptare. Shpeshherë veprimet e saj e bëjnë të dalë nga kornizat e saj prej burrneshe. Asaj i duhet të marrë vendimin e vështirë për të mos dalë nga statusi i saj “burrë”. Përndryshe do të heqë dorë prej tij për t’i rilindur ndjenjat e një gruaje, të cilën e kishte shtypur prej kohësh.
Si karakter është e ashpër, gjaknxehtë, kontrolluese ndaj familjes. Jeton me mbesën e saj Zanën dhe me babanë. Zana nuk ka nënë, ndërsa babai i saj jeton në Itali.
Një prej virtyteve të Franit është zotësia. Bën punët që nuk do t’i bënte asnjë burrë i vërtetë. Bën punë të rënda fizike për të përfituar sa më shumë e për të mbajtur shtëpinë. E kundërta është vëllai i Franit, babai i Zanës.
Duke u kujdesur për Zanën, Frani shkon duke u zbutur. Veçmas lëndimi serioz në këmbë e bën atë edhe më empatik. Kulmi i kësaj empatie vjen kur vdes babai i Franit, që luhet nga aktori Bislim Muçaj.
Aktorja Drita Kaba – Karaga, e cila e luan Franin, ka thënë se ky rol ka qenë tejet sfidues.
“Unë i kam dhënë shpirt e jetë Franit dhe shpresoj se spektatorët ta vlerësojnë. Është i vështirë si çdo rol, gjithmonë ka vështirësi. Që të mund të japësh një pjesë të popullit tënd, një copë nga shpirti dhe historia e grave tona që janë detyruar të bëhen burrnesha, është e vështirë, emocionuese, edhe pas gjithë këtyre komplimenteve që morëm”, ka theksuar Kaba-Karaga.
E aktorja e re, Alesia Ruçi, e cila e luan Zanën, ka thënë se kjo përvojë e ka përgatitur për rrugëtimin e saj prej aktoreje.
“Filmi ishte shumë i bukur, nuk e prisja të ishte kaq i bukur. Mendoj se e kam luajtur mirë rolin tim. Më pëlqen shumë të aktroj dhe dua që kur të rritem të bëhem aktor. Solla më të mirën nga vetja për filmin dhe më pëlqeu gjithçka”, ka deklaruar Ruçi.
Në gusht filmi artistik “Burri i shtëpisë”, nën regji të Andamion Muratajt, pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe qe në garë të ngjarjeve që vlerësohen prej më të mëdhave në Evropë.
Regjisori Murataj pas shfaqjes së filmit ka thënë se filmi ka rezultuar i suksesshëm për shkak të punës së aktorëve që luajnë aty.
“Kam pasur fatin të jem disa herë në disa prej festivaleve më të mira në botë e megjithatë ky film është i destinuar për publikun shqiptar, sepse shumica e aktorëve në film janë nga Kosova. Unë jam një dobësi për nivelin e aktrimit të aktorëve të Kosovës, por gjithashtu që vjen nga niveli po aq i mirë i kinemasë, teatrit dhe artit të Kosovës në përgjithësi. Nuk mund të them se nuk kishte aktorë të mirë. Kur ballafaqohem me publikun kosovar është gjëja më e rëndësishme për mua, sepse ata do ta gjykojnë në mënyrën më realiste, përfshirë çdo aspekt të filmit”, ka theksuar ai.
Murataj, i cili është edhe skenaristi i filmit, ka thënë se elementi i burrneshës në film shënon edhe identitetin shqiptar. Ka thënë se theksi ka qenë në burrneshën moderne.
“Këto janë prej historive esenciale që na identifikojnë si komb, pra besa, burrneshat, mikpritja, ndihma për komunitetin, identiteti dhe krenaria gjithashtu që ndonjëherë ndoshta kthehen në të kundërtën tonë. Në pikëpamjen tonë, kjo nuk është një gjë e re si tematikë. Ajo që unë shpresoj të ketë qenë kontribut, është një burrneshë e shekullit 21. Është shumë e vështirë ta asociojmë shekullin 21 me burrneshat. Nga kjo pikëpamje mendoj se është diçka e re dhe që publiku të ketë treguar”, ka shtuar ai.
Në film luajnë edhe aktorë si” Basri Lushtaku, Armond Morina, Valina Muçolli, Adem Karaga, Klodian Hoxha, Armond Morina e të tjerë.
Filmi “Burri i shtëpisë” është rrëfim i thellë emocional. Vjen si kooproduksion i gjashtë shteteve - Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Austrisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas premierës në Prishtinë synon rrugëtimin ndërkombëtar.