EXPRESS

Festivali poetik me homazh e fuqinë e vargut

Poezia, si forma më e rafinuar e shprehjes artistike, tejkalon kufijtë e të qenit vetëm një kompozicion i bukur fjalësh. Luan rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës dhe identitetit.

Rëndësinë e poezisë po e promovon tash e dy vjet edhe Festivali Poetik i Prishtinës.

Në hapje të edicionit të dytë u vlerësua mbi të gjitha roli i poetëve për shoqërinë. Moderuar nga poetja Donika Dabishevci, edicioni i dytë pavarësisht se hapësirë feste për letërsinë, u hap me homazh për poetin Adem Gashi, i cili vdiq më 16 janar në moshën 70-vjeçare.

Figura e tij u nderua e u vlerësua lart nga Dabishevci, teksa hapësirë iu dha leximit të poezive të Gashit nga aktori Nimon Muçaj në përcjellje muzikore nga Astrit Stafai. Hapësira e qendrës shoqërore “Termokiss” frymoi me poezinë e tij. Në ekran u shfaqën dhe disa video me Adem Gashin duke lexuar disa poezi të tijat, materiale të realizuara rishtazi në kuadër të programit të portalit “ObserverKult”. Homazhe i ka bërë edhe miku i tij shkrimtari Emin Emini, i cili plot emocion e shprehu vlerësimin e tij për veprimtarinë e Gashit.

“Adem Gashi është autori që ka hyrë fuqishëm, dhe pa trokitur në portat e letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe po kështu emri i tij do të mbesë si një zë i fuqishëm poetik dhe ndër më të rëndësishmit për veçantinë e profilit krijues në historinë e kësaj letërsie”.

Intermexo përmes instrumentalit në kitarë pasoi me këngën “Në Shkodër të vish”, një përputhje e denjë me atmosferën që karakterizohej me dashuri, admirim e dhembshuri.

Fjalën e mori dhe i biri i poetit të ndjerë, Dardan Gashi, aktor, duke falënderuar organizatorët e Festivalit Poetik të Prishtinës, për nderimin që iu bë figurës së babait të tij në hapjen e këtij edicioni teksa ndau edhe një anekdotë.

“Babi shpesh herë e citonte gjyshin, thoshte ma ka lënë baba një fjalë, e mua babi ma ka lënë një duzinë me poezi dhe me libra për ta kujtuar atë gjithmonë”.

Donika Dabishevci para se të përmbyllte këtë pjesë të parë të mbrëmjes hapëse ftoi të pranishmit që në vend të heshtjes ta nderonin së bashku Adem Gashin me 1 minutë duartrokitje

Pas homazhit u hap rruga për një diskutim që solli bashkë pikëpamjet letrare të poeteshave të njohura shqiptare, Rita Petro dhe Dije Demiri Frangu, pastaj edhe Ag Apollonit dhe Ahmet Selmanit.

Rita Petro, poete nga Shqipëria ndau pikëpamjet e saj për poezinë teksa vlerësoi iniciativat e tilla si ky festival.

“Poezia është ajo që të ngreh peshë zemrën, të jep imagjinatën, të zgjeron hapësirat e shpirtit dhe të mendjes. Të bësh festival poetik të duket si luks por ku ka më bukur se sa luksin ta barazojmë me poezinë, sepse është tamam luksi i shpirtit. Kështu që dhe ky organizim dhe ftesa që mu bë, u ndjeva shumë e nderuar të jem pjesë e këtij festivali me gjithë kolegët e mi, poetët e tjerë, por dhe kombinimi jo vetëm i poezisë por dhe ai i teksteve kritike i studimeve që bëhet si forum, është diçka shumë e mirë dhe që sjell pasuri ne jetën kulturore të Prishtinës, te cilën e vlerësoj shumë sepse i jep shumë rëndësi letërsisë dhe artit në përgjithësi”.

Nisur nga fakti se ky edicion i festivalit nisi me një homazh për një poet që nuk jeton më, Petro nuk ngurroi të ndante dhe vlerësimet e saja për figurën e Adem Gashit.

“Adem Gashi ka shkruar jo duke u ulur dhe duke menduar se ça vargu t ‘shkruaj të çudis lexuesin, përkundrazi poezia e tij është poezi e ndjerë, poezi e shpirtit, si dhe një vlerësim për bukurinë shpirtërore dhe fizike të gruas, gjë që kur thuhet nga një poet për neve grave është kënaqësi e madhe, dhe tek sa i dëgjoi ato vargje me të vërtet u krijua një atmosferë e ndjere që meritonte figura e Adem Gashit me te cilën u hap festivali”.

Edhe Ag Apolloni, shkrimtar nga Kosova, Festivalin Poetik të Prishtinës e sheh si një event shumë të nevojshëm për skenën letrare në vend. Ka përmendur sfidat e jetësimit të një festivali të tillë.

“E vlerësoj si një vazhdim të një festivali që po tenton të krijojë një traditë për poezinë dhe shpalosjen e vlerave. Një festival i tillë ka shumë sfida e probleme për shkak se poezia e ka shumë të reduktuar grupin e lexueseve por është një festival që vërtet i duhet Kosovës”.

Si gjest të mirë dhe të denjë për figurën e Adem Gashit, e vlerësoi dhe homazhin që iu bë poetit si hapje e festivalit.

“Është një gjest shumë i mirë që po nderohet një prej poeteve më të mirë shqiptar. Unë e kam njohur qysh kur isha student, kam qenë mik i tij dhe gjithmonë e kam vlersu si një poet të veçantë dhe shumë te mirë ai vazhdimisht me çdo vëllim ka ardhur duke u bëre poet dhe më i mirë”.

Kjo natë e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës, mes emocioneve e inspirimit la audiencën të frymëzuar dhe të entuziazmuar dhe për dy netët e ardhshme me shumë aktivitete.