Futboll

Drita e Ballkani mësojnë kundërshtarët e mundshëm evropianë

Copenhagen - Drita

Drita e Ballkani janë plotësisht të fokusuar në ndeshjet e së enjtes. Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, luan në Bukuresht të Rumanisë me kampionin e këtij vendi, FCSB, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Nënkampioni, Ballkani, luan në “Fadil Vokrri” me Shamrock Rovers nga Irlanda, në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Drita e Ballkani janë dy skuadrat e vetme kosovare që kanë mbetur në garë në kupa evropiane. Të dy skuadrat të hënën e kanë mësuar rrugën e mëtejme në Evropë. 

Drita vazhdon edhe nëse eliminohet nga FCSB-ja, ndërsa Ballkani vazhdon vetëm nëse e eliminon Shamrockun.

Të hënën është tërhequr shorti për plejofin e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Plejofi është faza e fundit para asaj të ligës.

Nëse Drita kalon në plejofin e Ligës së Evropës, përkatësisht nëse e eliminon kampionin rumun, atëherë do të përballet me skuadrën tradicionale skoceze, Aberdeen. 

Ndeshjet e plejofit janë më 21 dhe 28 gusht.

Ndërkohë nëse eliminohet nga FCSB-ja, Drita do të zhvendoset në plejofin e Ligës së Konferencës. Dhe do të përballet me fituesin e ndeshjeve mes Differdange të Luksemburgut dhe Levadias së Estonisë.

Në plejof të Ligës së Konferencës do të paraqitet edhe Ballkani, nëse e eliminon Shamrockun. Në një situatë të tillë ekipi suharekas luan me Larnen e Irlandës së Veriut apo Santa Claran e Portugalisë. Larne e Santa Clara përballen po ashtu në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Larne në raundin e dytë kualifikues të Konferencës e eliminoi Prishtinën. Vjet e kishte eliminuar pikërisht Ballkanin në raundin e tretë të “Conference Leagues”.

Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës janë edhe Egnatia e Rrogozhinës dhe Dinamo e Tiranës.