Me gjithë problemet që e shoqëruan procesin e ndarjes së çmimeve për teatër, duke përfshirë edhe akuza për favorizime, në Ministrinë e Kulturës të premten u mbajt ceremonia nderuese për laureatët.
Aktori Luan Daka është vlerësuar me Çmimin kombëtar për vepër jetësore, raporton KOHA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky çmim i ndahet artistit Daka duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit demokratik, si në teatër, film, televizion dhe radio”, u tha ndër të tjerash në arsyetimin e jurisë.
Çmimi vjetor për regjinë më të mirë iu nda Elmaze Nurës për shfaqjen “Koprraci”, Çmimi vjetor për aktorin më të mirë Adrian Morinës për rolin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua” e Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë iu nda Drita Begollit për shfaqjen “Erveheja”.
Ndërsa Çmimi i fundit, ai për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar që iu jepet produksioneve teatrore, në mënyrë unanime i është ndarë qendrës “Multimedia” e cila, sipas jurisë, “gjatë vitit 2019 kjo qendër realizoi disa prezantime ndërkombëtare nëpër festivale prestigjioze”.
Në emër të Ministrisë së Kulturës, çmimet për laureatë i dorëzoi zëvendësministri Engelbert Zefaj.
Juria ishte e përbërë nga pesë anëtarë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi e Jeton Ahmetaj, zyrtarja e MKRS-së, Zethane Bahtiri dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Tre nga pesë anëtarët e jurisë dhe tre nga pesë laureatët punojnë pikërisht në Degën e Arteve Dramatike, ku ligjërojnë edhe tre prej laureatëve.
Në komunitetin artistik është çuar goxha pluhur për çmimet e teatrit. Pjesë e pesëshes së jurisë fillimisht ishte regjisori Fatos Berisha, i cili dha dorëheqje dhe u zëvendësua me Bahtirin.