EXPRESS

“Ngjyrat e Pavarësisë...” nëpër histori e krenari kombëtare

Veprat artistike të më shumë se 50 artistëve nga të gjitha trevat shqiptare ngërthejnë motivet e shtetit dhe secila ka simbolikat e saj që ndërlidhen me festën e 17 Shkurtit, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në ngjarjen “Ngjyrat e Pavarësisë – Kosova përmes artit” që synon të jetë tradicionale, një vepër u veçua. Busti i Skënderbeut, i punuar nga skulptori Sabri Behramaj, u vlerësua si më i miri dhe mori çmimin “Diamanti i pavarësisë”

Me ekspozitën “Ngjyrat e Pavarësisë – Kosova përmes artit” është festuar trashëgimia dhe krenaria kombëtare. Veprat artistike të mbi 50 artistëve nga të gjitha trevat shqiptare ngërthejnë motivet e shtetit më të ri në Evropë dhe secila ka simbolikat e saj që ndërlidhen me festën e 17 Shkurtit, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në ngjarjen që synon të jetë tradicionale, një vepër u veçua. Busti i Skënderbeut, i punuar nga skulptori Sabri Behramaj, u vlerësua si më i miri dhe mori çmimin “Diamanti i pavarësisë”. 

E hapur të dielën mbrëma në “Flori Gallery” në një prej qendrave tregtare në kryeqytet, ekspozita është një prej destinacioneve që mund të vizitohen në këtë ditë feste. Veprat janë kryekëput të lidhura me temën e pavarësisë së Kosovës dhe kjo është e qartë që nga ngjyrat me të cilat janë realizuar ato. 

Madje edhe veprës fituese, bustit të Skënderbeut, i janë vënë ngjyrat e pavarësisë. Autori i saj, skulptori Sabri Behramaj veçse i ka veprat e tij nëpër hapësira publike. 

“Është realizuar me poliester. Për këtë vepër kam punuar tre muaj dhe sot është pjesë e galerisë, ku edhe është vlerësuar. Kam realizuar edhe shumë vepra të tjera, kam mbi 50 nëpër hapësira publike jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri si monumenti i Hasan Prishtinës e të tjera. Një vepër e kam edhe në Gjermani”, tha Behramaj. 

Piktori Musë Prelvukaj, i cili ka qenë në komisionin vlerësues për përzgjedhjen e veprave dhe për veprën më të mirë, ka thënë se vepra e Behramajt veçohet për madhështinë e saj. Por, sipas tij, cilëndo vepër që ta zgjidhnin fituese, prapë nuk do të gaboheshin. 

“I kemi shikuar të gjitha veprat, të gjithë artistët ishin të përgjegjshëm për këtë ekspozitë dhe i sollën punimet më të mira. Por sikur të kishim vendosur edhe për ndonjë tjetër, nuk do të gabonim, por e gjetëm të arsyeshme ta jepnim shpërblimin me një vendim unanim për skulptorin Sabri Behramaj, i cili e paraqet portretin e Skënderbeut. Është një portret impozant dhe përputhet edhe me Ditën e Pavarësisë, kështu që vërtetë e kemi një ekspozitë reprezentative dhe një kryevepër të skulptorit Sabri Behramaj”, tha Prelvukaj. 

Ekspozita është kuruar nga Fehmi Hoxha dhe Esmeralda Bilbilaj. Hoxha ka thënë se ekspozita është mbarëkombëtare dhe se vlerat e hapësirave shqiptare kanë qenë tema e përgjithshme e saj. 

“Tema e përgjithshme është rreth kontributit të luftës dhe gjitha vlerat tona për arritjen deri te Pavarësia, mirëpo artistëve nuk mund t’u imponosh vlerë si temë të veçantë, prandaj në kuadër të kësaj ekspozite janë disa tema. Secili artist e ka krijimtarinë e tij origjinale, megjithatë ka shumë vepra arti që japin një koncept dhe tregojnë histori, më vete secila flet për Shpalljen e Pavarësisë para 17 vjetësh”, tha Hoxha. 

Ka thënë se ekspozita synon të jetë ngjarje tradicionale e përvitshme. E bashkëkuratorja Esmeralda Bilbilaj ka thënë se secila vepër sjell emocione.

“Kjo ekspozitë na ka mbledhur për një arsye shumë të rëndësishme dhe shumë të ndjeshme për të gjithë ne. Kështu që kemi sjell jo vetëm piktura, por edhe shumë emocione dhe ndjesi në të gjitha punimet”, tha Bilbilaj. 

Ekspozita prezanton vepra artistike që pasqyrojnë motivet dhe që frymojnë me simbolikat e Kosovës. Piktura, skulptura, grafika, instalacione e vizatime, vijnë nga artistë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Presheva, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. 

Veprat janë përzgjedhur nga artistët Musë Prelvukaj, Hajrush Fazliu dhe Edmond Dhrrami. 
Fazliu, që është edhe udhëheqës artistik i galerisë “Flori”, ka thënë se secili artist prezanton stilin e bagazhin e tij në ekspozitë dhe se të gjitha ngjyrat flasin për Pavarësisë. E ka theksuar faktin se për herë të parë ndahet çmimi “Diamanti i pavarësisë”. 

“I jepet një artisti të mirënjohur edhe pse i një gjenerate të re, i cili në opusin e tij ka një numër shumë të madh të shtatoreve, busteve të personaliteteve të veçanta të shtetësisë së Kosovës, duke nisur nga Adem Jashari, Isa Boletini, Hasan Prishtina e shumë të tjerë, të cilat ky autor i ka realizuar. Dhe sot prezantohet me dy buste”, tha Fazliu. 

Ekspozita “Ngjyrat e Pavarësisë” do të jetë e hapur për publikun për dy javë.