(Blick) – Është gabim të mos llogaritet Xherdan Shaqiri (33). Me katër gola e tri asistime në shtatë ndeshje të Superligës së Zvicrës, kapiteni i Baselit jo vetëm që është lojtari më i mirë i skuadrës, por është edhe top-kontribuuesi në gjithë Superligën. Në një ditë të mirë, lojtari me 125 paraqitje për Zvicrës është bindshëm lojtari më i mirë në ligë. Pa asnjë dyshim.
Por të dielën, në humbjen 2:1 nga Luzerni, Shaqiri dështoi të lërë gjurmë. E njëjta mund të thuhet për ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj Freiburgut javën e kaluar. Apo për ndeshjen për kupë ndaj Etoil-Carouge, në të cilën humbi penallti pasi u aktivizua si zëvendësues.
A është Shaqiri në minikrizë? Ndoshta. Të paktën është e kuptueshme që trajneri Ludovic Magnin e largoi nga fusha kapitenin e tij pas një ore lojë ndaj Luzernit. Problemi i madh: pa Shaqirin, sulmi i Baselit duket edhe më pak aktiv. E gjithë loja e Baselit është e ndërtuar rreth tij.
Nëse nuk llogaritet fitorja 6:1 në raundin e parë të Kupës ndaj Bielit, Baseli së fundi ka shënuar gol në ndeshje garuese, pa e pasur Shaqirin në fushë, në muajin maj. Në fund të majit, në ndeshjen pa shumë rëndësi ndaj Lausannes, kur tashmë titulli ishte siguruar, Kevin Carlos shënoi dy gola dhe Benie Traore realizoi një gol, para se Xherdani të aktivizohej vonë në ndeshje. Pa llogaritur ndeshjen ndaj Bielit, ata tre gola janë të vetmit në vitin 2025 që Shaqiri i ka “shijuar” nga stoli. Dhe bëhet fjalë për plot 35 ndeshje në të gjitha garat.
Qartë se kjo është edhe për shkak të aktivizimit të vazhdueshëm të Shaqirit. Në 12 ndeshjet e këtij edicioni, 33-vjeçari ka munguar vetëm 156 minuta. Por për shkak të angazhimit në tri fronte, ai pritet të luajë shumë më tepër minuta se në edicionin e kaluar.
Magninit i duhet plani B. Ai duket që e ka një të tillë.
“Kam zgjidhjen me Koba Koindredin nëse Shaqiri nuk është në fushë”, ka thënë trajneri i Baselit.
Lojtari i transferuar nga Lausanne mungoi për shkak të lëndimit në dy ndeshjet në të cilat Shaqiri pati telashe.
Në ndeshjen e së dielës, Ibrahim Salah luajti si zëvendësues i Shaqirit.
“Kam provuar të sjell energji të re. Nuk funksionoi në mënyrën që kam dashur. Mund të shihje pas gjysmë ore që këmbët e Shaqirit nuk ishin të lehta”, ka theksuar Magnin. Trajneri i Baselit megjithatë nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për krizën e organizatorit të lojës.
“Mendoj se njerëzit janë shumë të ashpër ndaj tij”, ka thënë Magnin për Shaqirin. “Ai është shumë i rëndësishëm për ne, njerëzit duhet ta dinë këtë”.
Kjo është e qartë. 79 nga 84 golat e Baselit këtë vit janë shënuar në kohën kur Shaqiri ishte në fushë.