Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka komentuar shortin e tërhequr të enjten në Bruksel. Ai ka thënë se kundërshtarët e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve nuk janë të lehtë.
Kosova është në Grupin B3 të Ligës B me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.
“Nuk ka short apo kundërshtar të lehtë. Secili ekip është kualifikues. Janë si ndeshje eliminatore. Përballja me Austrinë do të jetë eksperiencë, pasi nuk jemi përballur asnjëherë. E kutojmë që janë të fortë. Me Izrealin jemi përballur e njohim, kurse ndaj Irlandës duhet të luftojmë për të fituar”, ka thënë Ademi për KOHËN të enjten.
Ai ka komentuar edhe përballjen e selektorit të Kosovës, Franco Foda me Austrinë, përfaqësuese të cilën e kishte udhëhequr drejt kualifikimit në “Euro 2020”.
“Foda e njeh Austrinë, ka qenë pjesë e tyre dhe e njeh karakterin. Nuk do të jetë e lehtë, por uroj që gladiatorët tanë të jenë në formën më të mirë. Duhet të jemi 100 % në formë. Besoj se mund të bëjmë gjëra të duhura në këtë grup. Por ne nuk kemi nevojë t’i frikësohemi më askujt. E kemi dëshmuar tashmë këtë kundër kundërshtarëve që i kemi pasur”, ka theksuar Ademi.
Megjithatë, Ademi ka theksuar se fokusi është fillimisht te ndeshja me Sllovakinë.
Kosova ndaj Sllovakisë luan më 26 mars. Ndeshja Sllovaki – Kosovë i takon gjysmëfinales për Kupën e Botës 2026. Ndeshja luhet në Bratislavë.
“Sigurisht që mendja është për ndeshjen ndaj Sllovakisë, pastaj janë ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka thënë Ademi.