Riyad Mahrez e udhëhoqi Algjerinë që u bë përfaqësuesja e katërt afrikane që e siguroi Botërorin 2026.
Të enjten në mbrëmje Algjeria fitoi 3:0 ndaj Somalisë, kurse ish-futbollisti i Manchester Cityt dhe Leicester Cityt, shënoi e asistoi në një gol tjetër.
Mohamed Amoura realizoi për 1:0 në minutën e shtatë.
Më pas, Mahrezi realizoi në minutën e 19-të për 2:0 dhe asistoi për Amouran në golin e minutës së 57-të.
“Dhelprat e Shkretëtirës” e siguruan vendin e parë në Grupin G, një ndeshje para fundit të kampanjës kualifikuese në Afrikë.
Algjeria do të paraqitet në Kupën e Botës për herë të parë që prej vitit 2014, kur ishte eliminuar në 1/8 e finales nga Gjermania.
Nga Afrika, Botërorin e kanë siguruar edhe Maroku, Tunizia dhe Egjipti.
Luca Zidane, i biri i legjendës së futbollit, Zinedine Zidane, i cili e fitoi Botërorin me Francën në vitin 1998, ishte në bankën rezervë. Portieri Zidane e la Francën për ta përfaqësuar Algjerinë, ndërsa ftesën për herën e parë e mori këtë muaj.