Futboll

Alonso synon ta mbyllë me fitore aventurën në Bundesligë

Xabi Alonso

Trajneri spanjoll, Xabi Alonso, shpreson që ta mbyllë me fitore aventurën te Bayer Leverkuseni.

Leverkuseni të shtunën nga 15:30 do të luajë me Mainzin në udhëtim në kuadër të xhiros së 34-t të Bundesligës. Kjo xhiro është e fundit për këtë edicion në elitën e futbollit gjerman. Leverkuseni ka 68 pikë dhe renditet në pozitën e dytë. Mainzi ka 51 pikë dhe e zë vendin e gjashtë.

Për Alonson kjo do të jetë ndeshja e fundit në krye të skuadrës së Leverkusenit.

43-vjeçari ditë më parë e njoftoi largimin nga Leverkuseni në fund të edicionit. Ai së shpejti pritet të konfirmohet trajner i Real Madridit.

Alonso shkroi histori me Leverkusenin. Ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Real Madridit e udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit në Bundesligë pa asnjë humbje në edicionin e kaluar.

Me Leverkusenin, tekniku spanjoll e fitoi edhe Kupën e Gjermanisë.

Tashmë titullin e kampionit në Gjermani e ka siguruar Bayern Muncheni. Bayerni e mban pozitën e parë me 79 pikë.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit në Bundesligë zhvillohen të shtunën nga ora 15:30.

Bayerni do të luajë në udhëtim te Hoffenheimi. Hoffenheimi ka 32 pikë dhe e zë vendin e 15-të me 32 pikë. Po lufton për mbetje në ligë.

Ndërkohë Borussia Dortmundi e pret Holstein Kielin.

Dortmundi po lufton që ta sigurojë një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Katër pozitat e para dërgojnë në “Champions”.

Dortmundi ka 54 pikë dhe renditet në pozitën e pestë. Kjo pozitë dërgon në Ligën e Evropës. Freiburgu e zë vendin e katërt me 55 pikë.

Freiburgu e pret Eintracht Frankfurtin.

Frankfurti është në pozitën e tretë me 57 pikë.