Futboll

Alonso synon të përshëndetet me rekord historik

Xabi Alonso

Trajneri Xabi Alonso e fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë, në vetëm tre vjet sa ishte në krye të Bayer Leverkusenit.

Përgjatë rrugës, Alonso vendosi rekorde të ndryshme, përfshirë edhe atë kur e fitoi Bundesligën pa asnjë humbje të pësuar.

Në ndeshjen e fundit në krye të Leverkusenit, Alonso me Granit Xhakën lider në mesfushë, e ka shansin që ta shënojë një tjetër rekord historik.

Leverkuseni ndeshjen e fundit në kampionat e luan në udhëtim te Mainzi, të shtunën nga ora 15:30. 

Leverkuseni do ta mbyll kampionatin në vendin e dytë. Aktualisht ka 68 pikë. Ndeshja më e rëndësishme është për Mainzin që synon një vend që dërgon në kupat evropiane.

Nëse Leverkuseni e shmang humbjen të shtunën, do të bëhej klubi i parë në histori të Bundsligës që ka 34 ndeshje rresht pa humbje në ndeshjet si mysafir.

Pra, dy sezone të kompletuara, pa pësuar disfatë në udhëtim.

Rekordi i mëparshëm ishte vendosur nga Bayern Munichu prej vitit 2012 dhe 2014, që kishte 33 ndeshje pa humbje në vizita.

Ky rekord është barazuar fillimisht nga Leverkuseni, ndërsa tani synohet të thyhet rekordi.