Lideri aktual i Premier Leagues, Arsenali, ka rritur interesimin për portierin kosovar që luan për skuadrën e Heidenheimit, Diant Ramaj.
Ramaj te Heidenheimi është i huazuar nga Borussia Dortmundi. Me Dortmundin ka kontratë deri në vitin 2029.
Sipas gazetarit të “Sport Bild”, Christian Falk, Arsenali dëshiron t’i sigurojë shërbimet e Ramajt, teksa kërkon konkurrencë për David Rayan. Spanjolli Raya është portier i parë i “Topçinjëve”.
Falk ka shkruar se skautët e Arsenalit kanë qenë të pranishëm në disa ndeshje të Heidenheimit për të vëzhguar Ramajn.
24-vjeçari është zhvilluar në disa skuadra gjermane, ndërsa shpërtheu pas kalimit nga Eintracht Frankfurti tek Ajaxi në vitin 2023. Në fillim të këtij viti e transferoi Dortmundi, por e huazoi fillimisht te Copenhageni në Danimarkë e më pas te Heidenheimi.
Ramaj ka qenë startues në të gjitha ndeshjet e Heidenheimit këtë edicion në Bundesligë. Heidenheimi po lufton për mbijetesë.
Portieri shtatlartë ka luajtur për Gjermaninë U18, U19 dhe U20. Pret ftesë nga Përfaqësuesja A e Gjermanisë.