Futboll

Arsyetohet Donnarumma: Nuk ishte qëllimi ta lëndoja

Gianluigi Donnarumma

Herën tjetër kur të përballet me Bayern Munchenin, që mund të jetë në fazën e ligës në Champions, Gianluigi Donnarumma duhet të bëhet gati për një mbrëmje të pakëndshme. Portieri italian i Paris Saint-Germainit po përballet me një mal kritikash për lëndimin serioz të Jamal Musialas. Ylli i Bayernit u lëndua pas një ndërhyrje të Donnarummas, në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube.

“Jam i shokuar me atë që ndodhi. Qartë se nuk ishte qëllimi im që ta lëndoja Musialan”, ka thënë Donnarumma për “Gazzetta dello Sport”.

Menjëherë pas fitores 2:0 të PSG-së, 26-vjeçari i dëshiroi shërim të shpejtë Musialas. Këtë urim e bëri përmes një postimi në “Instagram”. Musiala do të jetë jashtë fushës për muaj të tërë, për shkak të thyerjes së fibulës dhe kyçit të këmbës së lënduar rëndë.

Derisa Donnarumma ishte shënjestër e shumë postimeve plot zemërim në rrjetet sociale, portieri i Bayernit, Manuel Neuer ishte ai që kritikoi në veçanti italianin. Neueri mbeti i pakënaqur me veprimin në fushë të Donnarummas pas lëndimit të Musialas, ndërsa tani agjenti i portierit italian është kundërpërgjigjur.

“Ai nuk ka dashur të pretendojë asgjë”, tha Vincenzo Raiola për sjelljen e Donnarummas në fushë. Ashtu si pritej, Raiola i doli në mbrojtje klientit të tij.

“Gigo është djalë shumë i ndjeshëm. Ai nuk mundi ta duronte skenën dhe preferoi të largohej dhe t’i linte mjekët ta trajtonin Musialan sa më mirë që mundeshin”.

Pasi Musiala mbeti i shtrirë, Neueri iu afrua Donnarummas dhe këkroi prej tij që t’i kërkonte falje yllit të Bayernit për lëndimin. Më pas Neuer deklaroi se Donnarumma nuk e mori për bazë rrezikun e mundshëm kur bëri ndërhyrjen. Sipas ikonës gjermane, ndërhyrja ishte e panevojshme dhe me rrezik të madh për kundërshtarin.

Pasi Neueri e nxiti të kërkonte falje ndaj Musialas, Donnarumma bëri veprim të pazakontë në dhomën e zhveshjes. Lëndimi ndodhi pak para fundit të pjesës së parë.

“Ai madje e ndezi telefonin celular në zhveshtore”, tha Raiola për episodin pas lëndimit.

“Ne kemi punuar shumë vjet së bashku dhe ai nuk e ka bërë kurrë këtë. Ai zakonisht e ndal telefonin një orë para fillimit të ndeshjes për t’u përqendruar në lojë dhe e aktivizon sërish atë pas ndeshjes. Këtë herë më dërgoi një mesazh duke thënë se ishte i mërzitur dhe se nuk e bëri me qëllim”.

Por Raiola tha se e kuptonte reagimin e Neuerit.

“Është normale që e mbron shokun e skuadrës. Dhe ka të drejtë kur thotë se mund të sillesh ndryshe. Kjo është e vërtetë. Të gjithë jemi të ndryshëm dhe secili sillet në mënyrën që mundet”.