Në fund as Arabia Saudite e as Gianni Infantino nuk mundën ta gjenin një mënyrë për ta dërguar Cristiano Ronaldon në Kupën e Botës për Klube.
Presidenti i FIFA-s, Infantino, u përpoq, duke dërguar një mesazh publik muajin e kaluar.
“Nëse ndonjë klub po shikon dhe është i interesuar të angazhojë Ronaldon për Kupën e Botës për Klube...”, tha Infantino gjatë një interviste.
Kontrata e Ronaldos me klubin saudit, Al-Nassr, po përfundonte dhe vendimi i FIFA-s për të krijuar një afat kalimtar posaçërisht për garën e saj më të re, do të thoshte se rruga ishte e hapur për legjendën e Real Madridit dhe Manchester Unitedit që të nënshkruante marrëveshje afatshkurtër dhe të ishte pjesë e Botërorit që po mbahet në SHBA.
Duke pasur parasysh lidhjen e tij me Arabinë Saudite, ku portugezi ishte fytyra e përpjekjeve spektakolare të mbretërisë së pasur me naftë për të afruar disa nga yjet e mëdhenj të futbollit, filluan thashetheme për një transferim tek Al-Hilali. Bëhet fjalë për ekipin më të suksesshëm arab, që po garon në Kupën e Botës për Klube.
Problemi ishte se Al Hilali dhe Al-Nassr janë rivalë të qytetit në Riad. Edhe pse fondi sovran i Arabisë Saudite ka shumicën e aksioneve në këto dy klube, por edhe te klubet e tjera, prapë ky do të ishte hap shumë i madh.
“Edhe pse e respektoj Ronaldon si lojtar të madh, është pa dyshim plotësisht kundër intuitës që të marrësh lojtarin kryesor të rivalit kryesor që të luajë për ty”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Al Hilalit, Esteve Calzada. “Është edhe më shumë kundër, kur bëhet fjalë për tri apo katër javë”.
Ndoshta është kështu, por Arabia Saudite, falë pasurisë që ka, po e bën të pamundshmen të mundshme. Pasi kishte diskutime për një kalim të Ronaldos, kjo dëshmon se arabët ishin në gjendje të shtynin kufijtë në kuadër të lojës së madhe për t’u bërë forcë në sportin botëror.
Arabia tashmë ka ndryshuar fytyrën e golfit dhe është bërë qendër e meçeve të mëdha të boksit profesionist. Ka interesim për garat e Formula 1 dhe për ato të tenisit.
Por ambiciet e Arabisë në futboll janë më spektakolaret – është siguruar Kampionati Botëror 2034, është blerë njëri prej klubeve më ikonike në Angli, Newcastle Unitedi, dhe janë joshur superyje të futbollit nga një ligë që nuk ka asnjë lidhje me top-ligat evropiane.
Arabia Saudite ka luajtur rol edhe në financimin e Kupës së Botës për Klube, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Ka bërë investim prej 1 miliard dollarësh në transmetuesin e turneut DAZN dhe ka një partneritet komercial me FIFA-n, që ka vendosur fond shpërblyes prej 1 miliard dollarësh për ekipet që po garojnë në SHBA.
Kupa e Botës për Klube është shansi i Arabisë Saudite për t’u shfaqur sërish në skenën e madhe ndërkombëtare. Po ashtu për të testuar nivelin e ekipit të saj më të mirë ndaj më të mirëve në botë.
Për këtë arsye është e habitshme që nuk kishte më shumë përpjekje që Al Hilali të sigurojë një lojtar të nivelit të lartë si Ronaldo.
Al Hilali e liroi Neymarin më herët, ndërsa dështoi të firmosë me kapitenin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandes. U përfolën edhe transferime të tjera, por asnjë lojtar i kalibrit të lartë nuk u sigurua para Botërorit për Klube.
Al Hilali ka ende në përbërje lojtarë të nivelit të lartë botëror. Para Botërorit angazhimi më i rëndësishëm ishte i trajnerit Simone Inzaghi, që la Interin për ofertën e majme në Arabi.
Në një mënyrë, Arabia Saudite po e nxjerr futbollin nga zona e rehatisë. Futbolli po pëson ndryshim dhe nuk ka dyshime që Arabia është forca që po vjen.