Për shkak të finales së Kupës së Mbretit, në fundjavë nuk kishte ndeshje në La Liga. Xhiroja e 32-të fillon të martën, ndërsa Vedat Muriqi me Mallorcan e presin Valencian nga ora 19:00.
Për të dy skuadrat është ndeshje me peshë të madhe. Mallorca është e 15-ta me 34 pikë, ndërsa Valencia i ka 35 pikë në vendin e 14-të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShtatë xhiro para fundit, këto dy skuadra nuk e kanë të sigurt mbetjen në La Liga.
Te Valencia i frikësohen formës jetësore të Vedat Muriqit. Për këtë ka shkruar edhe mediumi i fuqishëm spanjoll, “AS”.
“Plani për ta larguar Muriqin nga zona”, është titulli i shkrimit të publikuar në fundjavë nga “AS”.
“Vedat Muriqi (21) është vetëm dy gola prapa Mbappes (23), ndërsa i vetëm ka shënuar dy gola më shumë se pesë sulmuesit e Valencias së bashku: Hugo Duro (9), Ramazani (5), Danjuma (3), Sadiq (1), Lucas Beltran (1). Sulmuesi kosovar, që ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, është dhembje e madhe koke për secilin trajner që përballet me Mallorcan, sidomos për Carlos Corberan, që përballet me mungesa në mbrojtje për ndeshjen e së martës”, shkruan gazeta spanjolle.
Cesar Tarrega është mbrojtësi i vetëm i Valencias, që është plotësisht i gatshëm. “AS” ka paraqitur telashet që i ka trajneri i Valencias me lojtarë.
“Plani për të provuar që të ndalet Muriqi nuk ka të bëjë vetëm me personelin, por ka të bëjë edhe me konceptin taktik. Statistikat e sulmuesit kosovar sugjerojnë, nëse jo kërkojnë, që ai të mbahet larg zonës së rrezikshme sa më shumë të jetë e mundur. Mbi të gjitha, me gjatësi prej 194 centimetra, forca e Muriqit qëndron në duelet në ajër. Ai ka 3,8 duele për ndeshje me përqindje të suksesit prej 78. Po ashtu anë e fortë e tij është lëvizja në zonë. I ka 3,23 prekje të topit në këtë zonë, 1,39 prej të cilave rezultojnë me goditje në portë. Ai i ekzekuton 50 për qind të topave që i pranon në zonën e rrezikshme, ndërsa shndërrimi në gol i këtyre gjuajtjeve është në shifrën 0.69”, shkruan në analizën e mediumit spanjoll.
“Ultima Hora” ka shkruar se Mallorca, kryesisht falë formës së Muriqit, po e synon rekordin për gola që nga kthimi në La Liga. Mallorca aktualisht i ka 39 gola, ndërsa 40 gola nuk i ka shënuar që kur u kthye së fundi në La Liga, në edicionin 2020/2021.
Ndërkohë Mallorca vazhdon me postime të përditshme për Muriqin, tashmë njërin prej lojtarëve kryesorë në La Liga, por edhe në futbollin evropian, falë golave të rregullt që po i shënon.