Të kthehesh pas disfatës 4:0 nga Spanja mund të duket e pamundshme. Por jo edhe për kapitenen e Suedisë, Kosovare Asllani.
Asllani ka theksuar se ndeshja gjysmëfinale e plejofit të Ligës A të Ligës së Kombeve, është ende e hapur.
“Humbja 4:0 është e dhimbshme. Ato i shfrytëzuan rastet që i patën”, ka thënë Asllani, shkruan të shtunën “Fotbollskanalen”.
Gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve luhet me dy ndeshje.
Dueli kthyes luhet në Goteborg të martën nga ora 19:00.
Suedia nuk ka çfarë të humb në atë ballafaqim. Në duelin e zhvilluar të premten mbrëma, Spanja shënoi tri herë në pjesën e parë me dy gola të Alexia Putellas dhe një të Claudia Pina. Pina shënoi tjetër gol në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar.
“Çfarë mund të them? Nëse e shihni ndeshjen sërish, nuk duket që rezultati 4:0 është i drejtë. Nuk mendoj kështu. Nëse kemi start të mirë në shtëpi dhe shënojmë gol shpejtë, do të ishte mirë. Më pas duhet që ta shfrytëzojmë. Kjo është e tëra që mund ta bëjmë. Nuk ka mbaruar ende”, ka deklaruar Asllani.
Asllani të premten mbrëma në ndeshjen e luajtur në Malaga, luajti deri në minutën e 84-t.