Fisnik Asllani nuk kishte shënuar gol për kohë të gjatë në elitën gjermane të futbollit. Por vazhdimisht është vlerësuar për paraqitjet që kishte në fushë. Dhe tjetër paraqitje pozitive, sulmuesi i Kosovës që aktivizohet te Hoffenheimi dha të shtunën në ndeshjen e xhiros së 22-të ndaj Freiburgut.
Ai e shënoi njërin gol në fitoren 3:0. Pak pasi nisi pjesa e dytë, Asllani u shkëput më së larti në zonë pas harkimit të Vladimir Coufalit. Realizoi me vështirësi për 1:0 dhe gëzimi ishte i madh. Ishte goli i shtatë në Bundesligë në këtë edicion për Asllanin, dhe i pari që prej 13 dhjetorit. Prej asaj kohe, 23-vjeçari i kishte edhe dy asistime. Asllani dhe Hoffenheimi marshojnë sigurt drejt njërit prej vendeve që dërgojnë në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër.
Përveç Asllanit, te Hoffenheimi luajtën edhe dy lojtarë tjerë të Kosovës. Asllani u zëvendësua në minutën e 74-t, kurse Albian Hajdari në mbrojtje dhe Leon Avdullahu në qendër të mesfushës, e kompletuan ndeshjen.
Hoffenheimi forcohet edhe më shumë në pozitën e tretë me 45 pikë, ndërsa Freiburgu mbetet me 30 pikë në vendin e tetë. Lider është Bayern Munichu me 57 pikë.
Forma e mirë e Asllanit vjen pak para ndeshjes më të rëndësishme të Kosovës. Më 26 mars, Kosova përballet me Sllovakinë në Bratislavë, në gjysmëfinalen e plejofit për Kupën e Botës 2026 që në këtë verë organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Asllani shënoi gola shumë të rëndësishëm që ia siguruan Kosovës kualifikimin në plejofin e Botërorit 2026. Ai kishte shënuar në fitoret ndaj Suedisë dhe Sllovenisë. Bashkë me Vedat Muriqin e Mallorcas, pritet t’i prijnë sulmit për ndeshjen e rëndësishme në fund të muajit mars. Në rast të fitores, Kosova më 31 mars e luan finalen e plejofit, me fituesen e ndeshjes Turqia – Rumania.
Bundesliga e zgjedh Asllanin më të mirin e ndeshjes
Faqja zyrtare e Bundesligës gjermane e ka zgjedhur Fisnik Asllanin, si futbollistin më të mirë të ndeshjes Hoffenheim – Freiburg.
Hoffenheimi fitoi 3:0, ndërsa Asllani e shënoi golin e parë.
“Pas pjesës së parë ku vendësit nuk arritën që dominimin ta kthejnë me gola, Asllanit iu deshën 30 sekonda pas pushimit për ta zhbllokuar ndeshjen kur për mrekulli realizoi me kokë pas harkimit të Coufalit. Goli i parë e hapi ndeshjen e ndërlikuar, duke bërë që Hoffeheimi të marrë fitore të lehtë në fund. Përveç golit, sulmuesi ishte rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Freiburgut, ku përfshiheshin tentimet nga distanca si dhe ajo e minutës së 66-të kur pritje të mrekullueshme bëri portieri Atubolu. Lëvizjet e tij, lidhja me të tjerët dhe pozicionimi, e justifikojnë çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes”, ka shkruar Bundesliga, që ka paraqitur fotografinë e tre futbollistëve shqiptarë, që festuan duke e formuar me duar shqiponjën dykrenore.

Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari e kompletuan ndeshjen.