Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

“Asnjë befasi” – paraqitja impresive e Bayernit ia kujton Kompanyt stërvitjen

Bayern

(Kicker) – “Duke luajtur një kundër një në gjithë fushën”. Lojtarët e Bayernit e theksuan vazhdimisht qasjen e Atalantas me markimin e lojtarëve në prag të ndeshjes së parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Bayerni fitoi 6:1 të martën mbrëma në Bergamo.

Megjithatë, përveç pesë minutave të parë, nuk kishte asnjë shenjë të avantazhit nga kjo taktikë e Atalantas. Përkundrazi, skuadra e madhe gjermane ekspozoi në mënyrë mbresëlënëse rreziqet nga kjo mënyrë e lojës. Madje këtë e bëri ndonëse trajneri i Atalantas, Raffaele Palladino, e befasoi Bayernin me një mbrojtje me katër lojtarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një shembull.

Serge Gnabry, që lëvizi me zgjuarsi, luajti shumë thellë gjatë ndërtimit të aksioneve, duke e nxjerrë mbrojtësin e qendrës, Sead Kolashinac larg nga mbrojtja me katër. Dhe aloja e djathtë, Kamaldeen Sulemana papritmas në disa momente e gjeti veten duke luajtur si qendërmbrojtës i anës së djathtë, pasi po e ndiqte kundërshtarin e tij, Konrad Laimer.

Se 24-vjeçari Sulemana është i dobët në qendër u demonstrua nga një skenë kundër Luis Diazit pas gjysmë ore lojë. Kolumbiani krijoi shumë hapësire për vete duke fituar një situatë një kundër një dhe duke asistuar për Nicolas Jacksonin, që megjithatë u ndal nga portieri i Atalantas.

“Ne kemi talent dhe kualitet në ekip. Djemtë i duan këto lloj ndeshjesh. Duelet një kundër një nuk janë problem për ta”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Ky stil i lojës është pjesë e jetës së përditshme te Bayerni.

“Ne gjithnjë luajmë me intensitet të lartë në stërvitje. Rrjedhimisht nuk është befasi që ju duhet të gjeni zgjidhje ndaj mbrojtjeve si kjo në këto ndeshje. Dhe lojtarët tanë e bënë këtë në mënyrë të shkëlqyer”, ka shtuar tekniku belg. Ai ishte sidomos i impresionuar nga miksimi i vrapimeve nga prapa dhe pasimeve të sakta.

Lojtarët e Bayernit ishin më euforikë se trajneri, që e vlerësoi paraqitjen si “të mirë”. Aleksandar Pavloviq tha se “vështirë do të mund të ishte më mirë”. Kështu që Atalanta ishte me fat që i pranoi vetëm gjashtë gola.

Nuk mund të parashikohet se çka do të ndodhte nëse ylli anglez, Harry Kane, do të futej në pjesën e dytë. Sulmuesi Kane ishte i gatshëm për lojë, por më pas iu dha pushim.

“Po, ishte shumë afër. Por më pas rezultati ishte 5:0 dhe aktivizimi i tij ishte shumë larg”, ka thënë Kompany kur është pyetur për paraqitjen e mundshme të 32-vjeçarit.

Kane pritet të kthehet të dielën ndaj Leverkusenit dhe do të ketë minuta edhe të mërkurën e javës së ardhshme në ndeshjen e kthimit ndaj Atalantas. Dhe Kane do të jetë i uritur për gola aq sa edhe bashkëlojtarët e tij të martën mbrëma në Bergamo të Italisë.