Mërgim Vojvoda ka më së shumti paraqitje për përfaqësuesen e Kosovës në futboll – 65. Te Shqipëria më së shumti paraqitja ka Lorik Cana – 93. Granit Xhaka e ka arritur shifrën e 137 ndeshjeve për Zvicrën, ndërsa Xherdan Shaqiri është ndalur në 125 paraqitje.
Por asnjëri prej këtyre dhe asnjë futbollist apo futbolliste shqiptare, nuk i afrohet Kosovare Asllanit për paraqitje ndërkombëtare.
Të premten mbrëma, Kosovarja luajti ndeshje jubilare me Suedinë. Ishte ndeshja e 200-të e 35-vjeçares me përfaqësuese. Si kapitene, futbollistja me rrënjë nga Mitrovica, e udhëhoqi Suedinë drejt fitores 1:0 ndaj Danimarkës. Ndeshja në Gjenevë i takoi xhiros së parë të fazës grupore të Evropianit që po mbahet në Zvicër.
Asllani, që kryesisht paraqitet si mesfushore ofanzive, ka nisur të luajë për Suedinë që në vitin 2008. Ka munguar në pak ndeshje prej atëherë dhe tashmë i ka plot 200 paraqitje.
Kjo shifër dëshmon për karrierën e mahnitshme të Kosovares. 200 ndeshje edhe në nivel klubesh janë goxha. Në nivel përfaqësuesesh është shifër e rrallë.
19 prej ndeshjeve i ka në Kampionate Evropiane. Ka luajtur edhe në Kampionate Botërore e në Lojëra Olimpike.
Pas ndeshjes me Danimarkën, në të cilën bëri asistimin vendimtar, Kosovares i është dhuruar fanella me numër 200, të cilën ajo e ka ngritur lart me krenari. E ka shfaqur me krenari në festën që lojtarët e Suedisë e bënë para tifozëve të shumtë të tyre.
Janë vetëm dhjetë futbolliste evropiane që e kanë arritur shifrën e 200 paraqitjeve me përfaqësuese. Sherida Spitse e Holandës e mban rekordin me 244 paraqitje. Caroline Seger e Suedisë e ka përfunduar karrierën me 240 paraqitje. Pasojnë Birgit Prinz e Gjermanisë me 214, Therese Sjogran e Suedisë me 214, Katrine Pedersen e Danimarkës me 210, Patrizia Panico e Italisë me 204, Gemma Fay e Skocisë me 203, Florentina Olar e Rumanisë me 201 dhe Kosovare Asllani e Eugenie Le Sommer e Francës me nga 200 ndeshje.
Kosovarja shpejt mund të avancojë edhe për tri-katër pozita, ndoshta gjatë Evropianit në Zvicër. Ajo i ka 48 gola me përfaqësuese, ndërsa i ka dy medalje të argjendta olimpike dhe një të bronztë botërore.
“Jam shumë krenare. Nuk kam dashur të mendoj për këtë shifër shumë herët, por është shumë e veçantë. Vetëm dy lojtare të Suedisë e kanë arritur këtë shifër më parë, kështu që ndihem jashtëzakonisht krenare që e kam arritur këtë numër të ndeshjeve”, ka thënë Asllani.
Futbollistja ofanzive ka theksuar se ky do të jetë kampionati i fundit për të. Por shumë lojtare të Suedisë kanë thënë se po mundohen ta bindin Kosovaren që të vazhdojë.
Menaxherja e përfaqësueses së Suedisë, Marika Domanski Lyfors, ka theksuar se shpreson që Kosovarja të vazhdojë të luajë për përfaqësuesen. Ajo ka pranuar se po mundohet ta bindë Kosovaren të vazhdojë.
Asllani ka karrierë impresive edhe në nivel klubesh. Aktualisht është në Angli te London City Lionesses. Më herët ka luajtur për Milanin, Real Madridin, Linkopingun, Manchester Cityn, Paris Saint-Germainin, Kristianstadsin e Chicagon.
Shpesh ka bërë bujë edhe me deklaratat dhe kritikat e saj. Kritike u shfaq edhe pas ndeshjes me Danimarkën, që u zhvillua në temperaturë të lartë. Në zonën ku lojtaret kanë dhënë deklarata pas ndeshjes ishte edhe më nxehtë.
“Kjo nuk është në rregull. Duhet të ndryshojë kjo, UEFA duhet të veprojë. Nuk e di a është garazh kjo ku po qëndrojmë, apo çka?”, ka thënë Asllani.
Ajo shpreson që Suedia ta fitojë Evropianin, ndërsa i ka falënderuar tifozët për përkrahjen.
E fitoi apo jo Evropianin, u tërhoq apo jo, karriera e Kosovare Asllanit mbetet impresive. Shifra prej 200 ndeshjeve me njërën prej përfaqësueseve më të forta në botë është dëshmi për këtë.