Ish-futbollisti i Spanjës dhe Barcelonës, mesfushori Sergio Busquets, do të pensionohet nga futbolli në fund të sezonit të ligës MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar klubi i tij i tanishëm, Inter Miami.
Busquetsi u zhvillua si futbollist në Akademinë e Barcelonës, ndërsa më pas i kaloi 18 vjet te kjo skuadër.
Ai debutoi në vitin 2008, ndërsa më pas iu bashkua Inter Miamit, ku u ribashkua me Lionel Messin, Jordi Alban dhe Luis Suarezin, të gjithë bashkëlojtarë te Barcelona.
Busquets i ka zhvilluar 143 ndeshje për përfaqësuesen spanjolle dhe ishte pjesë e triumfit në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut dhe në Kampionatin Evropian dy vjet më vonë, në Poloni dhe Ukrainë.
“E ndiej se ka ardhur koha që t’i them lamtumirë karrierës sime si futbollist profesionist. Janë bërë afro 20 vjet që po e shijoj këtë tregim të jashtëzakonshëm për të cilin kam ëndërruar gjithmonë”, ka thënë Busquetsi në një video të publikuar në Instagram.
“Po pensionohem shumë i lumtur, krenar, i përmbushur dhe mbi të gjitha, mirënjohës. Faleminderit shumë të gjithëve, shihemi së shpejti”.
Busquetsi konsiderohet si njëri prej mesfushorëve më të mirë defensiv që ka luajtur futboll. Ai i ka zhvilluar 722 ndeshje për Barcelonën, duke fituar nëntë tituj të La Ligas dhe tri herë ishte fitues i Ligës së Kampionëve në mesin e 32 trofeve me Barcelonën. Është lojtari i tretë me më së shumti paraqitje në histori të Barcelonës.
37-vjeçari Busquets ndeshjet e fundit me Inter Miamin do t’i luajë në plejofin e ligës MLS.
Inter Miami e siguroi plejofin pas fitores 4:0 ndaj Neë York Cityt të mërkurën.
Plejofi me 18 ekipe nis më 22 tetor.