Futboll

Chelsea vazhdon me hapa të sigurt në Ligën e Konferencës

Chelsea

Chelsea ka vazhduar me hapa të sigurt drejt finales së Ligës së Konferencës që do të luhet më 28 maj në Wroclaw të Polonisë.

Chelsea e mposhti 4:1 në udhëtim të enjten mbrëma skuadrën suedez, Djurgarden, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales.

“Blutë” nuk e rrezikuan për asnjë moment fitoren dhe krijuan epërsi 4:0.

Në pjesën e parë, përkatësisht në minutat 13 dhe 43, realizuan Jadon Sancho dhe Noni Madueke.

Nicolas Jackson më pas i realizoi dy golat e fundit në minutën e 59-të dhe të 65-të.

Isak Alemayehu Mulugeta e shënoi golin e vetëm për skuadrën suedeze në minutën e 68-të, vetëm pesë minuta pasi u inkuadrua në lojë.

Ndeshja kthyese luhet në “Stamford Bridge” pas një jave.

Në gjysmëfinalen tjetër të Ligës së Konferencës, Betisi e mposhti Fiorentinën, 2:1.

Abde Ezzalzouli në minutën e gjashtë realizoi për 1:0, ndërsa supergol shënoi Antony, në minutën e 64-t.

Luca Ranieri i Fiorentinës me golin e minutës së 73-të, i dha shpresë skuadrës italiane për avancim në finale të kësaj gare.

Fiorentina ishte finaliste në dy edicionet e kaluara. Në edicionin 2022/23 u mposht nga West Ham Unitedi 2:1, ndërsa në edicionin 2023/24 humbi nga Olympiacosi 1:0, pas vazhdimeve.