Manchester City e ka transferuar të premten ganezin Antoine Semenyo nga Bournemouthi për 65 milionë funte.
Për Bournemouthin ky është rekord i shitjes së një futbollisti.
Semenyo ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2031 dhe do ta bartë fanellën me numrin 42, që më herët e kishte Yaya Toure. Toure kishte fituar tre tituj të Premier Leagues gjatë qëndrimit tetëvjeçar.
“Jam shumë krenar që iu bashkova Manchester Cityt. Kjo skuadër ka vendosur standardet më të larta dhe ka lojtarë të klasës botërore, qendra stërvitore të nivelit më të lartë, dhe njërin prej trajnerëve më të mirë ndonjëherë, Pep Guardiola. Më e mira nga unë ende nuk ka ardhur”, ka deklaruar Semenyo pas zyrtarizimit.
26-vjeçari u përshëndet me Bournemouthin kur e shënoi golin e fitores në minutat shtesë të mërkurën, në fitoren 3:2 ndaj Tottenhamit.
Semenyo është futbollist i krahut të djathtë, por mund të luajë edhe në pozita të tjera. Ai i ka shënuar dhjetë gola në 20 ndeshje në edicionin aktual të Premier Leagues.