Goli i shënuar në minutën e 95-të nga Tiago Tomas për barazimin 3:3 të Stuttgartit ndaj Hoffenheimit, në kuadër të xhiros së 32-të të Bundesligës, mund të jetë vendimtar në garën e këtyre dy skuadrave për vend që dërgon në Champions.
Ai gol dhe ajo pikë e fituar i mundësuan Stuttgartit që të jetë para Hoffenheimit në tabelën e Bundesligës gjermane. Në xhiron e 33-të, përkatësisht të parafundit, fitore shënuan si Stuttgarti ashtu edhe Hoffenheimi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStuttgarti është i katërti me 61 pikë dhe goldallim +22, kurse Hoffenheimi është i pesti me 61 pikë dhe goldallim +17. Pozita e katërt dërgon në Champions. E pesta në Ligën e Evropës. Dhe ky dallim është shumë i madh, ndër të tjera për shkak të financave.
Ndeshjet e xhiros së fundit të elitës gjermane janë të shtunën. Bayerni tashmë e ka siguruar titullin e kampionit. Borussia Dortmundi do të përfundojë e dyta, ndërsa RB Leipzigu i treti. Ka mbetur plotësisht e hapuar gara për vendin e katërt.
Pos Stuttgartit dhe Hoffenheimit shpreson edhe Bayer Leverkuseni, që është i gjashti me 58 pikë.
Në xhiron e fundit, Eintracht Frankfurti e pret Stuttgartin, Borussia Monchengladbachu e pret Hoffenheimin, kurse Bayer Leverkuseni luan në shtëpi ndaj Hamburgut.
Në Kosovë, me shumë vëmendje pritet pozita e Hoffenheimit. Te kjo skuadër luajnë tre prej lojtarëve kryesorë të Kosovës, mesfushori Leon Avdullahu, mbrojtësi Albian Hajdari dhe sulmuesi Fisnik Asllani.
Të tre janë të rëndësishëm si te Kosova ashtu edhe te Hoffenheimi.
Janë disa skenarë që e dërgojnë Hoffenheimin në pozitën e katërt. Nëse fitojnë si Stuttgarti ashtu edhe Hoffenheimi, vendos goldallimi, që është në të mirë të Stuttgartit.
Nëse Hoffenheimi fiton dhe Stuttgarti nuk fiton në xhiron e fundit, atëherë Hoffenheimi do të paraqitet në Champions në edicionin e ardhshëm. Skenar tjetër është që Hoffenheimi të barazojë, por me kusht që Stuttgarti të mposhtet.
Gjasat e Leverkusenit janë më të vogla që të dalë në vendin e katërt. Për këtë duhet që Leverkuseni të fitojë, ndërsa Stuttgarti dhe Hoffenheimi të humbin ndeshjet e xhiros së fundit.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit janë të shtunën prej orës 15:30.
Kundërshtari i Hoffenheimit, Borussia Monchengladbachu, është në vendin e 13-të me 35 pikë dhe nuk rrezikon rënien.
