Trajneri i Dinamo Cityt të Tiranës, Ilir Daja, ka folur pas humbjes 2:1 ndaj Hajdukut në stadiumin “Poljud”, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Fituesi i Kupës së Shqipërisë realizoi i pari me supergolin e Dejvi Bregut në minutën e 36-të, por më pas pranoi dy gola dhe humbi 2:1.
“Ishte e vështirë të luajmë ndaj Hajdukut para 33 mijë njerëzve. E nisëm mirë ndeshjen, kishim situata të mira për gol. Luajtëm mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë kishim probleme për 15-20 minuta.
Një gol disavantazh ndaj Hajdukut në Poljud nuk është keq”, ka thënë Daja.
Ai është pyetur edhe për golat e pranuara nga skuadra e tij, shkruan “Tportal.hr” të premten.
“Ne e ndërtojmë lojën nga prapa dhe gabimet ndodhin. Kapiteni jonë ka eksperiencë por ka mundur të reagojë më mirë. Kemi pranuar gola të lehtë nga gabimet tona. Të jemi realist, kemi mundur të pranojmë gol tjetër. Por kjo është eksperienca jonë e parë në Evropë pas shumë vjetësh. Hajduku ka luajtur ndeshje të mirë. Mendoj se shanset janë 60-40 në të mirë të Hajdukut, por asgjë nuk është e sigurt në futboll. Atmosfera ishte fantastike dhe ne po ashtu do të luajmë në stadiumin nacional. Shpresojmë që edhe tifozët e skuadrave tjera shqiptare do të na përkrahin”, theksoi Daja.
Ndeshja kthyese luhet pas një jave në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.